Dani Alvesh u bë futbollisti me më shumë trofe në gjithë historinë e këtij sporti. Ylli brazilian ka tani 36 kupa të ndryshme, pasi triumfit të fundit me Paris SG.
Është simboli i fitores. Dani Alvesh u bë lojtari më i dekoruar i historisë së futbollit, pasi fitoi Kupën e Ligës franceze. Mbrojtësi i djathtë brazilian ishte sërish pjesë e një skuadre që i shkon deri në fund garave dhe që ngre kupa, si Paris SG, që triumfoi 3-0 në finalen ndaj Monakos luajtur në Bordo.
Tashmë, 34-vjeçari ka plot 36 trofe në kabinetin e tij të pasur të kupave, suksese arritur në Brazil, Spanjë, Itali e tani në Francë. Në renditjen e të gjitha kohëve la pas patriotin e tij Maksuell, si dhe uellsianin Rajan Gigs dhe i vetmi që mund t’ia kalojë është Lionel Mesi që deri tani ka fituar 32 trofe. E nisi kur ishte fëmijë me Huazeiron, ndërsa trofeun e parë e fitoi tek Esporte Klube të Bahias në vendlindjen e tij, Brazil.
Aty Dani Alvesh pronësoi Kupën e Veriperëndimit në vitin 2002, kur ishte vetëm 19 vjeç. Menjëherë, kaloi në Europë tek Sevilja, me të cilën u bë fillimisht i njohur. Fitoi dy herë Kupën UEFA, Superkupën e UEFA-s, Kupën e Mbretit në Spanjë dhe Superkupën e Spanjës. Niveli tepër i lartë dhe mentaliteti fitues bënë që në 2008-ën të arrinte kulmin e karrierës, duke u transferuar tek Barcelona, ku shprehimisht fitoi gjithçka.
Plot 6 tituj kampion në Spanjë, tri Liga të Kampionëve, 4 Kupa të Mbretit, 4 Superkupa të Spanjës, 3 Superkupa të Europës dhe 3 Kupa të Botës për klubet. Në shoqëri me Ksavin, Iniestën, Mesin, Suarezin e Nejmarin, shkëlqeu dhe arriti të shënonte edhe gola të rëndësishëm, apo të ndihmonte shokët në sukseset e mëdha. Kur katalanasit dyshuan tek ai, duke e quajtur pak si të vjetër, në moshën 32-vjeçare kaloi tek Juventusi.
Me “Zonjën e Vjetër” vazhdoi me vesin e triumfeve, ndonëse qëndroi vetëm një vit. Erdhi titulli kampion në Serinë A, Kupa e Italisë, ndërsa Championsin e humbi në finalen ndaj Realit. Dani Alvesh vendosi të provonte edhe diçka tjetër në karrierë, Francën, ku u bashkua me ekipin më të mirë, Paris SG. Kupa e Ligës erdhi pas Superkupës franceze, ndërsa deri në fund të sezonit, Alvesh do të ketë fituar edhe titullin kampion, por besohet edhe Kupën e Francës.
Me Brazilin, ai fitoi Kupën e Botës për të rinj në 2003, Kupën e Amerikës në vitin 2007 pas finales ndaj Argjentinës, si dhe triumfoi dy herë në Kupën e Konfederatave në 2009 e 2013. Në moshën 34-vjeçare, braziliani nuk jep asnjë shenjë se mund të ndalojë, pra numri i trofeve pritet të shtohet në të ardhmen./abcnews.al