Abcnews.al raporton se në kontejnerin me banane në Portin e Durrësit mungojnë rreth 50 arka, të cilat dyshohet se kanë pasur lëndë narkotike.
Ndërkohë mësohet se 20 punonjësit e sigurisë portuale që u arrestuan sot për shpërdorim detyre dhe thyerje, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore kanë deklaruar se kontejneri ka ardhur i hapur.
Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrolleve të kryera nga Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe nga Aurotitetet Doganore të Portit, në Portin e Durrësit është konstatuar një kontejner i paplumbosur me plumbçe.
Pasi është hapur ky kontejner, është vënë re se sipërfaqja e tij ka qenë e ngarkuar me arka me banane, dhe se në kontejner mungonin arka me banane.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me ato të Departametit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, po vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet e para hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al.
/abcnews.al/