Dalin para gjykatës 15 biznesmenët e arrestuar për mashtrime me TVSH

schedule12:25 - 7 Shtator, 2019

schedule 12:25 - 7 Shtator, 2019

15 biznesmenët e arrestuar të mërkurën për mashtrim më fatura fiktive të TVSH-së janë liruar nga gjykata. Gjyqtarja Ardjana Bera caktoi masën e sigurisë arrest në shtëpi për 9 prej të dyshuarve dhe për 6 të tjerë masën e sigurisë arrest në burg me afat 20 ditë. gjatë zhvillimit të seancës Prokuroria ndryshoi pretencës pasi dëgjoi deklarimet e personave nën hetim.

Gjykata penale e Tiranës ka vendosur që të lirojë 9 nga biznesmenët e arrestuar të cilët dyshohet se kanë krijuar një skemë mashtrimi me faturat e Tatimit të Vlerës së Shtuar. Për 6 biznesmenë gjyqtarja Ardjana Bera vendosi që të caktojë masën e sigurisë arrest me burg me afat 20 ditor.

15  biznesmenët janë aksionerë dhe pronarë të disa kompanive, që kanë përfituar shuma të mëdha parash nëpërmjet tenderave. Gjatë seancës pati debate midis personave nën hetim dhe prokurores së çështjes Elisabeta Imeraj, pasi pjesa më e madhe pretendoi se kishte kushte të vështira shëndetësore e nuk mund te qëndronin në burg.

Avokatët deklaruan para gjykatës se klientët e tyre janë viktima. Prokurorja Imeraj vendosi që të ndryshonte pretencën e saj duke kërkuar lirimin e 8 prej të arrestuarve me argumentin se duhet të provojnë deklarimet e tyre.

Imeraj lexoi në seancë edhe deklarimet e dhëna para grupit hetimor nga biznesmeni i 16 i arrestuar Drilon Bareti, administrator i kompanisë E.B,A. i cili ka treguar se si është bërë administrator i kësaj kompanie.

Në deklarimet e Baretit thoshte se me profesion është bojaxhi dhe se para 3 vitesh gjendej në kushte të vështira financiare. 31 vjeçari kishte pranuar që emri i tij të vendosej si administrator i disa magazinave që do të përdoreshin për materiale ndërtimi.

Sipas Baretit, për të regjistruar emrin në QKB ka marrë 150 mijë lekë dhe më pas për tre vite do të paguhej 30 mijë lekë në muaj. Drilon Bareti është shprehur se nuk i njihte dy personat pasi i ka takuar nëpërmjet komshiut të tij.

Sipas prokurorisë, Drejtoria e Hetimit Tatimor po kryen hetime edhe për 5 kompanitë  “BTI”, “UniService”, “EBA Ndërtim”, “Banis shpk” dhe “Aleni shpk” që dyshohet se kanë konsumuar veprën e krijimit të skemave mashtruese lidhur me tatimet.

30 milionë lekë është dëmi shkaktuar buxhetit të shtetit nga prodhimi i faturave të shitblerjes fiktive, shifër kjo e përllogaritur nga faturat që policia ka arritur të sigurojë si provë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!