Dalin pamjet, momenti kur shoferi përplas 20 vjeçaren te vijat e bardha në Tiranë dhe ia “mbath”

schedule16:40 - 17 Maj, 2022

schedule 16:40 - 17 Maj, 2022

Policia e shtetit ka publikuar pamjet e momentit kur një shofer ka aksidentuar një 20 vjeçare te vijat e bardha në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Ismail Qemali ndërsa shoferi Sadik Përpunja u largua nga vendi i ngjarjes pas aksidentit, por është arrestuar më vonë.

E reja ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Shoferi i arrestuar akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Njoftimi i policisë

Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë për përdoruesit e rrugës, ka organizuar punën me grupe të dedikuara, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit agresivë të Kodit Rrugor, të cilët janë rrezik potencial për jetën e përdoruesve të rrugës. Rëndësi e veçantë i është kushtuar ndëshkimit të atyre drejtuesve të mjeteve që nuk i japin përparësi këmbësorëve, në vijat e bardha. Vihet në pranga një shtetas që aksidentoi një këmbësore, në vijat e bardha.

Shërbimet e Policisë Rrugore, pas marrjes së njoftimit se një automjet me drejtues të paidentifikuar kishte aksidentuar shtetasen E. M., 20 vjeçe, në vijat e bardha, në rrugën “Ismail Qemali”, dhe më pas ishte larguar, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të mjetit. Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale, është bërë identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasi S. P., banues në Tiranë, dhe arrestimi i tij, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Po në vijim të masave të marra për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë kësaj jave janë arrestuar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë 47 drejtues mjetesh. Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 145 drejtues mjetesh, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vijat e bardha. Policia Rrugore e Tiranës falënderon përdoruesit e rrugës që zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri.

/abcnews.al