Daku rrezikon grumbullimin në Kombëtare, “ylli” i ligës ruse po luante ndeshjet e fundit me injeksione

schedule14:38 - 29 Gusht, 2024

schedule 14:38 - 29 Gusht, 2024

Ishte paralajmëruar.

Disa ditë më parë, Abc News njoftoi se Mirlind Daku nuk ishte mirë fizikisht, edhe pse po luante e madje po shkëlqente në Premier Ligën e Rusisë.

Tashmë, është zyrtare që Daku është në dyshim për ndeshjet e kombëtares në Ligën e Kombeve.

Mediat ruse shkruajnë se sulmuesi i Shqipërisë ka një dëmtim dhe se trajneri i tij, te Rubin Kazan, Rashid Rahimov, do t’i kërkojë Federatës Shqiptare të Futbollit që të mos e thërrasë atë për dy sfidat e muajit shtator ndaj Ukrainës e Gjeorgjisë.

Siç ka njoftuar më parë Abc News, futbolisti luante me gjilpëra në elitën e futbollit rus dhe nuk stërvitej me shokët, por sipas një programi individual, diçka e zbuluar nga vetë trajneri Rahimov.

Nuk dihet se cila do të jetë përgjigja e brazilianit Sylvinho, por besohet se sulmuesi do të thirret fillimisht në grumbullim që mjekët e kombëtares të përcaktojnë gjendjen e tij e në rast se Daku nuk do t’i përgjigjej dot ftesës, për “Kuqezinjtë” do të ishte një goditje e rëndë sepse ai është lojtari më në formë i sulmit për momentin.

Ndërkaq, kujtojmë se sfidat e radhë të Kombëtares do të jenë më 7 e 10 shtator, ku fillimisht do të ndeshen në transfertë ndaj Ukrainës e më pas do të presin në “Air Albania”, “Kryqtarët” e Gjeorgjisë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!