Dakordësi mes PS dhe PD, komisioni hetimor për inceneratorët u hoq nga votimi në Parlament

schedule21:30 - 14 Tetor, 2021

schedule 21:30 - 14 Tetor, 2021

Në seancën e sotme plenare opozita dhe mazhoranca ranë dakord që të heqin nga rendi i ditës dhe nga votimi projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për ligjshmërinë e inceneratorëve. Ky i fundit është një nga tre komisionet hetimore parlamentare të kërkuara nga PD, përpos atij për zgjedhjet e 25 prillit dhe për çështjen Beccheti.

Votimi është shtyrë me një javë pasi palët ranë dakord me arsyen se duhet rishikuar formulimi ligjor i projektvendimit.

Fillimisht shtyrjen e kërkoi kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kërkesa e tij u pranua nga deputeti Gazmend Bardhi.

“…Në emër të PD, ne biem dakord që votimi i këtij Komisioni të shtyhet për javën tjetër,” u shpreh ai.

Kujtojmë se PD ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor, për verifikimin e ligjshmërisë së të gjitha hapave që janë marrë për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Ditën e sotme deputetët votuan pro ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa kërkesa e PD për hetimin e çështjes “Becchetti”, siç edhe pritej, u rrëzua me shumicë votash. /abcnews.al/