Skënderbeu është më prapa në përgatitje se Flamurtari, por do të kërkojë fitoren. Trajneri Ilir Daja flet për ndeshjen e kampionatit, dhe tregon sesi mund të arrihet objektivi.
Ishte mësuar ndryshe, por njeriu përshtatet me çdo gjë. Nga Skënderbeu i formatuar për titull e futboll europian të vjeshtës, e që nga Flamurtari i vjetshëm me pretendime, Ilir Daja kthehet në Korçë, në krye të një ekipi të cilin nuk mundi ta përgatiste për më shumë se 3 javë për nisjen e kampionatit.
Pritja tashmë përfundoi dhe këtë të shtunë do të jetë një ndeshje historike, ajo ndaj Flamurtarit në Korçë. Vlonjatët gjithashtu kanë pasur probleme, por Daja ka mendim tjetër.
“Flamurtari është i riformatuar plotësisht. Ne kemi pasur shumë pak ditë në dispozicion për të përgatitur këtë start. Edhe kur ditët janë të mjaftueshme ekipi nuk hyn që në ndeshjen e parë në gjendjen optimale”, tha Daja.
Si mendon Daja që t’ia arrijë qëllimit në këtë gjendje?
“Nesër duhet të jemi pragmatistë sepse nuk kemi gjendjen tonë më të mirë. Do lexojmë edhe kundërshtarin në situata loje. Mendoj që çdo sportist duke filluar nga ata me eksperiencë deri tek më të rinjtë nesër do shkojnë drejt atij objektivi maksimal që kemi për ta fituar këtë ndeshje”, tha Daja.
Skuadra ka nevojë për lojtarë me përvojë dhe nga Tirana vjen një përforcim me mbiemrin e trajnerit, Asion Daja. Tekniku tregon se çfarë pritet të ndodhë ende.
“Përderisa ka afat deri më 31 Gusht besoj që do të mundohemi të marrim ndonjë element që të jetë me eksperiencë. Kemi lënë një ndeshje të dielën me Bilishtin për të parë edhe njëherë këto elemente që janë ofruar. Pas ditës së dietë ekipi do jetë ai që do jetë seleksionuar për të vazhduar pastaj pjesën e parë të kampionatit”, tha Daja./ABC News Albania 24/7