Partizani do të përballet me Kastriotin, ndeshje e vlefshme për javën e tetë të “Abissnet Superiore”. Takimi mes demave dhe krutanëve do të zhvillohet ditën e diel, ora 13:45 në stadiumin e Kamzës.
Në konferencën për shtyp para këtij takimi, trajneri i Partizanit, Ilir Daja, ka deklaruar se fitoren e kërkojnë që nga java e parë. Gjithashtu timonieri i demave foli edhe për raportin e tij me drejtuesit dhe lojtarët e skuadrës.
“Ne kthesën e kemi pritur javë pas jave, natyrshëm që çdo javë dhe java më e rëndësishme është kjo me Kastriotin sepse do të mundohemi që të shkojmë drejt fitores. Mendja duhet të jetë akull dhe zemra flakë për të arritur tek fitorja.
Kemi krizë rezultatesh dhe kjo është evidente. Partzani nuk është mësuar që të ketë kaq pak pikë të grumbulluara në 7 javë. Asnjë nuk na ka dominuar, por i kemi dominuar ne. Sigurisht që kemi gabuar edhe duke e filluar lojën në disavantazh.
Nuk ka shumë diferenca në këtë kampionat. Edhe ekipi që është i pari dhe i fundit. Kastrioti është një ekip simpatik që luan në disa faza të mira të lojës. Kjo e vështirëson ndeshjen tonë. Por ne presim kthesën dhe duhet të japim më shumë se Kastrioti për të marrë fitoren e parë.
Kemi 4-5 javë që nuk kemi grupin e plotë. Në sulm kemi pasur disa lojtarë. Edhe Cara ka punuar veçmas. Edhe Kaçe na ka munguar, pa harruar ndonjë lojtar tjetër. Por ky nuk është justifikim. Mund t’i minimizojmë këto mungesa. Jemi të bindur për vështirësinë, por do të shkojmë drejt fitores.
Në media është përmendur se unë nuk i kam marrëdhëniet e mira me drejtuesit dhe lojtarët, sepse ka 2-3 muaj që thoni Daja s’ka raporte të mira me drejtorin. Ne jemi në kontakt çdo ditë , kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Secili bën punën e vet dhe ka hapësirën e vet në atë që bën. Nuk kam dhënë dorëheqjen për shkak të raportit që kam me lojtarët dhe për të mos u shmangur nga përgjegjësitë”, deklaroi Daja. /f.a/abcnews.al