Një ekip me të paktën 20 njerëz punuan për këngën e fundit të Dafina Zeqirit, “Merri Krejt”, e cila pati premierën dje. Teksti, i shkruar nga Elinel, flet për një raport ku dashuria nuk mjaftoi dhe gjithçka u kthye si boomerang.
Koncepti i videoklipit, i mjaftueshëm sa për një film, është i tillë: Dafina përpiqet të vazhdojë projektin e një roboti të lënë përgjysmë. Ajo bën maksimumin e saj, mundohet ditë dhe natë dhe më në fund ia del me sukses të krijojë një version robotik të vetes. Në fund, në pikën kulminante, gjatë një përleshjeje, roboti vret Dafinën.
“Mesazhi i videos është shumë i qartë: Njerëzit që i përkrah, që ua do të mirën, janë ata që në fund të japin goditjen më të madhe,” shkruan dikush në YouTube. “Nga një presion i vazhdueshëm ndryshojmë dhe transformohemi pak nga pak çdo ditë në robotë, derisa humbin veten dhe në fund ngelet shëmbëllimi ynë robotik,” e koncepton dikush tjetër.
Në YouTube, është gati e pamundur të gjesh një koment negativ, pasi të gjithë kanë vlerësuar performancën fantastike të Dafinës, qoftë në aktrim, në grim, flokë apo edhe në veshje.
Videoklipi, mbyllet me thënien e shkrimtarit dhe gazetarit amerikan Chuck Palahniuk, “Qëllimi ynë nuk është të jetojmë përgjithmonë, qëllimi ynë është të krijojmë diçka që do të jetojë përgjithmonë.”/abcnews.al