Ish-ministrja e Jashtme dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, ishte e ftuar këtë të mërkurë në ABC Neës. Gjatë një interviste që zhvilloi me gazetaren Mirela Milori, ajo theksoi se është dakord me idenë që opozita kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend.
“Sot kam dëgjuar që është artikuluar ideja që të ndërrohet sistemi zgjedhor. Nëse opozita ngulmon tek kjo unë do të isha dakord sepse një numër gjërash të padëshirueshme kanë rezultuar edhe si shkak i ndryshimit të sistemit në 2008-n dhe i pazareve dhe ujdive të pathemelta në 2008-n”, tha Dade.
Arta Dade komentoi edhe çdekretimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Sipas saj, Presidenti mund të jetë nisur me idenë që partitë politike të kishin kohë për të zhbllokuar situatën e rëndë ku ndodhej vendi.
“Unë nuk jam në gjendje sepse e dini që nuk jam juriste, por në kushtet e situatës që po degradonte, ndoshta u nis nga predispozicioni pozitiv që tu jepte një shans partive të kishin kohë që ta zhbllokonin. Nëse kjo do të ndodhte do të ishte edhe në të mirë të marrjes së një vendim pozitiv tani”, tha Dade.
Përsa i përket zgjedhjeve në Kosovë ish-ministrja tha se, “Beson se Kosova jo vetëm për zgjedhjet, por edhe në mjaft elemente të tjera të funksionimit të jetës politike na jep leksione ne. Tentojnë të mos bëjnë gjëra për show. Zgjedhjet, besoj që nuk është hera e parë që Kosova zhvillon zgjedhje konform standardeve. Kjo është element që i bën nder edhe klasës politike. Zgjedjet në shqipëri gjithmonë prishen nga ndërhyrjet e politikës. Vetë fakti që KQZ është i bërë nga përfaqësues politik, tregon që partitë ushtrojnë trysni edhe tek elementet ligjore që duhet të konsiderohen kur është fjala për zgjedhje. Atje po të shikosh dhe parlamentin bëjnë kujdes që të mos lëndojnë në nivelin personal kolegun e tyre. Ata në shumë elemente kanë një lloj fisnikërie që duhet të jetë element kryeson për një politikan”./abcnews.al