Daçiç: SHBA kanë ndryshuar qëndrim për Kosovën

schedule16:46 - 12 Gusht, 2018

schedule 16:46 - 12 Gusht, 2018

Beogradi zyrtar pretendon se Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar qasjen e tyre kundrejt çështjes së Kosovës. Sipas ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, administrata e presidentit Trump mbështet një zgjidhje të negociuar.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçic ka deklaruar të dielën se Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për Kosovën. “Deri më sot qëndrimi i tyre ka qenë se çështja e Kosovës është e mbyllur, por me ardhjen në pushtet të administratës së re gjërat kanë ndryshuar”, ka deklaruar Daçiç pas një takimi me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse.

Sipas shefit të diplomacisë serbe, deri tani Uashingtoni nuk ka bërë propozime, por e ka lënë të hapur mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët përmes dialogut. Daçiç ka theksuar se Serbia nuk mund ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe ka ripohuar se gjetja e një zgjidhjeje të negociuar është më e mira. “Risia është se shumë vende në Europë, por edhe Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur ende”, ka vijuar Daçiç.

Ministri serb ka shtuar se për të gjitha lëvizjet në këtë proces, Beogradi është konsultuar me palën ruse. “Nuk do të bëjmë asgjë prapa shpinës së partnerit tonë strategjik, që na ofron mbështetje”, ka thënë Daçiç. Sidoqoftë, ai ka shtuar se është ende herët për të folur nëse rusët por edhe gjithë faktori ndërkombëtar mbështesin një zgjidhje eventuale, sepse deri në arritjen e saj ka ende punë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!