Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç këtë të hënë ka deklaruar se nuk beson se Rusia do të ndryshonte qëndrimin e saj ndaj Kosovës, edhe nëse Serbia vendos sanksione ndaj Moskës. Në intervistën e tij ai theksoi se nëse një gjë e tillë do të ndodhte atëherë marrëdhëniet mes dy vendeve nuk do të ishin më të njëjta si tani.
Daçiç ka thënë se Serbia dënon kërcënimin ndaj integritetit territorial të Ukrainës, por nuk vendos sanksione ndaj Rusisë për arsye parimore.
“Janë 84 shtete që e njohin Republikën e Kosovës, nga 193. Nëse dikush ngre çështjen e anëtarësimit në OKB, gjëja e parë që duhet bërë është të deklarohet Këshilli i Sigurimit, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos”, tha ai.
Daçiç ndër të tjera tha se disa vende evropiane, shumë më të zhvilluara se Serbia, tani punojnë më mirë me Rusinë sesa para sanksioneve.
Duke komentuar marrëdhëniet me Kinën, ai kujtoi se presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizituan atë vend.
“Ne duhet të shikojmë interesat tona, të ruajmë rrugën tonë evropiane dhe interesat tona kombëtare dhe shtetërore. Interesi ynë është paqja në rajon dhe stabiliteti, si dhe mbrojtja e interesave të popullit tonë në Kosovë dhe Metohi”, është shprehur ndër të tjera ai.
Gjithashtu ai theksoi se interesi i Prishtinës nuk është zbatimi i marrëveshjeve, por dëbimi i serbëve dhe krijimi i një atmosfere në të cilën Serbia nuk mund të ndihmojë më serbët në Kosovë që të pranojnë nga Prishtina, apo të lëvizin.
Ai ka thënë se Albin Kurti dëshiron ta paraqesë Serbinë keq dhe se ai e disa shtete perëndimore presin që Serbia të thotë se nuk do të negociojë.
“Politika jonë për të qenë në dialog është e saktë. Ne marrim lavdërime edhe nga perëndimi se kemi një qasje më konstruktive se Prishtina. Presidenti Vuçiç tha se ne kemi detyrim të zbatojmë parimet deri në vijat e kuqe, të cilat janë de fakto apo njohja de jure e Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB”, theksoi ai./abcnews.al