Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tërhiqet nga qëndrimi i deritanishëm radikal për të mos pranuar ndryshimin e kufirit me Kosovën. Në një konferencë për Ballkanin në Beograd, Daçiç la të kuptohet se kjo tezë mund të pranohet, nëse i shërben marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, pretendon se Beogradi dhe Prishtina mund ta gjejnë vetë një zgjidhje për mosmarrëveshjen mbi Kosovën. Sipas tij nuk ka asnjë dyshim se një marrëveshje e tillë do të mbështetej nga të gjithë, madje edhe në rast se përfshinte një ndryshim të kufijve.
“Britania e Madhe dhe Gjermania këmbëngulin për mosndryshim kufijsh, por nëse do të arrihet në një marrëveshje dhe nëse do të ishte zgjidhja e vetme e mundshme nuk kam dyshim se do të pranohej, gjithashtu edhe nga BE që vepron si ndërmjetës në dialog “, theksoi ministri i Jashtëm serb në një konferencë për sigurinë në Ballkanin Perëndimor që zhvillohet në Beograd.
Një zgjidhje megjithatë e kundërshtuar nga SHBA, Gjermania dhe vende të tjera të rëndësishme perëndimore, që kanë frikë nga një “efekt domino” në Ballkan me pasoja të rrezikshme për stabilitetin rajonal. Por ky fakt nuk duket shqetësuar për Daçiç.
Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, tha se presidenti serb dhe kosovar, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi, kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kërkim të një zgjidhjeje paqësore. Ndërsa Uashingtoni beson gjithashtu në maturinë e përfaqësueses së lartë të BE, Federica Mogherini./abcnews.al