Ministri i jashtëm Ivica Daçiç thotë se duke mos arritur një zgjidhje, Serbia po e humbet Kosovën. Sipas tij nuk do të ketë dialog mes palëve pa heqjen e taksës 100% për mallrat serbë.
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka folur përsëri për taksën 100% të Kosovës ndaj produkteve serbe. Në një intervistë për të përditshmen serbe “Kurir”, ai tha se s’mund të ketë dialog pa heqjen e kësaj takes. Kryediplomati pranon që Serbia “po e humbet Kosovën”. “Çdo ditë pa një zgjidhje, ne jemi një ditë më afër humbjes së Kosovës”, thotë Daçiç.
Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të bëj presion për heqjen e taksës së pakuptimtë ndaj produkteve serbe.
Ministri tha se nëse tre vite më parë BE ka arritur që të heqë bllokadën e Kroacisë në kufi me Serbinë, atëherë mund ta bëjë edhe me Prishtinën. Gjithashtu shtoi se nuk ka qeveri në botë që nuk ka kërkuar heqjen e taksës, duke përfshirë BE-në dhe SHBA-të. Sipas tij vetëm qeveria shqiptare mendon ndryshe rreth kësaj çështje.
Ndërsa në pyetjen se a vazhdon që Prishtina ta ketë ende përkrahjen e fuqive botërore pas vendosjes së taksës, ministri serb u përgjigj: “Ndoshta e kishte, por nuk e ka më.” “Serbia nuk ka marrë ndonjë kundërmasë sepse ne respektojmë marrëveshjet”, u shpreh Daçiç. Kurse për deklaratën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj se taksa nuk hiqet deri në momentin kur Serbia ta njohë Kosovën, ai tha se Haradinaj flet për shumë gjëra që nuk ndodhin. /abcnews.al