Daçiç për aktakuzën: Rrugë e gjatë deri te vendimi

schedule20:19 - 6 Nëntor, 2020

schedule 20:19 - 6 Nëntor, 2020

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç ka reaguar në lidhje me zhvillimet më të fundit të ndodhura në Kosovë, ku ka thënë se është mirë që Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë nisur të punojnë.

Në një konferencë për mediat vendase Daçiç ka folur në lidhje me aktakuzën e Dhomave të Specializuara për krime lufte kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Aktuakuzë e cila u bë publike një ditë më parë.

Daçiç tha se Dhomat e Specializuara janë themeluar nga nevoja për një hetim ndërkombëtar të krimeve të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo vetëm kundër popullit serb, por edhe kundër qytetarëve të kombësive të tjera, përfshirë shqiptarët e Kosovës, kështu që të gjithë që kanë kryer krime, duhet të mbajnë përgjegjësi.

Ndër të tjera ai shtoi se krimet kundër serbëve në Kosovë nuk janë sanksionuar deri më tani, ku theksoi se është një rrugë e gjatë nga aktakuza deri te vendimi.

Ndërkohë Thaçi, Veseli dhe Selimi janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, më 5 nëntor, ndërsa Krasniqi është transferuar atje një ditë përpara tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.e.su./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!