Daçiç: Do të kandidoj për president të Serbisë, por jo kundër Vuçiç

schedule10:50 - 4 Shkurt, 2022

schedule 10:50 - 4 Shkurt, 2022

Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe lideri i SPS-së, Ivica Daçiç, së fundmi ka deklaruar se nëse Alekdandër Vuçiç nuk do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale do të jetë kandidat për president të Serbisë.

Ndër të tjera në një intervistë për mediat, Daçiç ka folur dhe në lidhje me vendimin që të kenë një listë zgjedhore ndaras nga SNS-i i Vuçiqit.

Gjithashtu Daçiç ka paralajmëruar se Kuvendi i Serbisë do të shpërndahet më 15 shkurt, ku pritet që të shpallen zgjedhje të parakohshme.

“Duhet të shpall zgjedhjet presidenciale më 2 mars. Sot është miratimi i ligjeve zgjedhore për të cilat kemi rënë dakord me opozitën, të cilat mundësojnë kontroll të gjerë të procesit zgjedhor. Nuk morën pjesë vetëm Dragan Gjilas dhe Vuk Jeremiç”, tha kreu socialist i Serbisë.

Ai kujtoi se koalicioni SNS dhe SPS vazhdon prej 10 vitesh dhe theksoi se janë krenarë për rezultatet që kanë arritur.

Daçiç ka shpjeguar edhe pse po garojnë të ndarë në zgjedhjet parlamentare.

“Matematikisht fitojmë më shumë nëse dalim në dy lista. Këtu nuk ka probleme, por është një vendim politik racional. Rëndësi ka që çdo gjë të shkojë mirë dhe dikush të mos thotë nesër se zgjedhjet janë jolegjitime. Tashmë opozita pretendon se do të fitojë. Por, edhe po përgatiten për demonstrata. Kjo është sjellje e panatyrshme”, është shprehur ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!