Çupi: Skandali i mbylljes së mbi 30 shkollave vazhdon, dryni këtë herë i vihet shkollës së Zerqanit

schedule11:32 - 4 Gusht, 2020

schedule 11:32 - 4 Gusht, 2020

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka denoncuar mbylljen e shkollës së Zerqanit në qarkun e Dibrës.

Çupi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se në 7 vitet e fundit janë mbyllur mbi 30 shkolla në Dibër, për shkak të largimit të banorëve në këtë vend.

Ish deputetes, nxënësve të Zerqanit po iu mohohet arsimi, pasi atyre iu është kërkuar që të shkojnë në shkollat e Bulqizës, të cilat janë 30 minuta larg me makinë, duke  e bërë më të vështirë ndjekjen e shkollës nga fëmijët e kësaj zonë.

Postimi i plotë:

Skandali i mbylljes së mbi 30 shkollave vazhdon në Dibër për shkak të largimit të shqiptarëve. Dryni i është vënë edhe një tjetër shkolle në Zerqan.

Kyçin dyert e shkollave dhe detyrojnë shqiptarët të braktisin vendin.

Prej 7 vitesh vetëm në Qarkun e Dibrës janë mbyllur mbi  30 shkolla dhe kjo situatë nuk ka të ndalur, madje edhe me vendime të pabazuara që nuk lidhen me numrin e nxënësve.

Drejtoria Arsimore ka marrë vendimin ti vendosë drynin shkollës së Zerqanit, në të cilën mësojnë dhjetra nxënës nga cikli i ulët deri te ai i mesëm.

Shqetësimi është legjitim për prindërit dhe fëmijët pasi u është kërkuar të regjistrohen në Bulqizë, 30 minuta me makinë larg, dhe të mendosh që dimri nuk është i butë në këto zona.

Përveç kostos dhe shqetësimit për largësinë, me këtë veprim arbitrar, banorëve të kësaj zone po ju mohohet lidhja e fortë për vite me radhë që ata kanë me arsimin.

Shkollës së Zerqanit e cila ka nxjerre me dhjetëra figura të rëndësishme lokale e kombëtare, po i vihet kyçi.

Ky veprim është i papranueshëm. Shkollimi i fëmijëve dhe brezave duhet të jetë përparësi dhe jo pengesë, duhet të jetë mundësi dhe jo stërmundim për prindërit dhe nxënësit.

Ju bëj thirrje autoriteteve arsimore në Dibër por edhe Ministres së Arsimit të shohin përparësitë për të mirën e nxënësve dhe jo të bëjnë të kundërtën. Fëmijët e Zerqanit e kanë shkollën e tyre, aty ku kanë studiuar prindërit e gjyshërit e tyre. Asnjë vendim i nxituar nuk mund t’ua mohojë këtë mundësi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!