Laçi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Partizanit në Elbasan, duke regjistruar pikën e tretë në po kaq ndeshje në sezonin e ri. Pas ndeshjes për Supersport foli trajneri i kurbinasve, Armando Cungu.
“Nuk kishim menduar kështu fillimin e kampionatit. Ajo e Ballshit mund të pranohej, më pas gabuam në shtëpi në minutën e fundit dhe na u kthye si sindromë goli në fund. Sot ishim më mirë fizikisht, na vunë në vështirësi në 25 minutat e para dhe më pas e morëm veten.
Presuam lart dhe nuk i lamë të luajnë futboll. Kishim raste ne, ashtu siç mund ta humbnim ndeshjen në shtesë në një moment të Bardhit.
Nuk e kemi pasur të lehtë, kemi pasur probleme fizike të disa lojtarëve dhe grupi nuk ka qenë i plotë për tu harmonizuar siç duhet. Xhixha, Teco dhe lojtarë të tjerë janë konsumuar. Të kesh shumë lojtarë jashtë formës nuk është pak.
Treguam luftim, grinte dhe më pëlqyen disa lojtarë. Mendoj se do vijmë në formën e duhur sepse kanë ardhur disa lojtarë dhe ata kërkojnë kohën e tyre për tu përmirësuar.
Pyetjen e shkarkimit e prisja, Kam qenë i mërzitur pas ndeshjes me Kastriotit. Sa i përket presionit, vështirë të ketë trajner pa presion, por duhet të dimë ta përballojmë dhe të bëjmë punën si profesionistë.
Kishim ardhur për fitore dhe pjesën më të madhe ishim dominues dhe mund të ishim më afër fitores. Nuk mund të neglizhojmë Partizanin, ata janë Partizani dhe janë ekip i fortë dhe shumë konkurrent. Nuk është tragjedi një pikë me ta, duke përfshirë edhe problemet tona.
“I durumi i fitumi” ka thënë populli. Kërkesat janë në rritje nga drejtuesit dhe ne e dimë se duhet të kërkojmë më shumë te ekipi. Megjithatë duhet pak më shumë kohë për të parë Laçin që duam”, u shpreh Cungu. /abcnews.al