Cungu: Mund të shënonim më shumë, vitin tjetër dua të qëndroj te Laçi

schedule19:47 - 19 Korrik, 2020

schedule 19:47 - 19 Korrik, 2020

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, foli për Supersport pas ndeshjes së fituar 0-3 kundër Bylisit. Në fjalën e tij, numri një i stolit kurbinas preku disa tema.

NDESHJA – “Ndeshja ishte shumë e vështirë, jo e lehtë. Skuadra e Bylisit meriton respekt për kampionatin që ka bërë, i ka hapur probleme çdo skuadre, jo vetëm në fushën e vet. Por e rëndësishme është që djemtë luftuan shumë, iu kundërvunë në të njëjtën monedhë dhe natyrshëm që pastaj kur i sillesh me të njëjtën monedhë kundërshtarit, je i aftë për të shfaqur vlerat dhe për të zgjidhur situata në aspektin individual. Rezultati mund të ishte edhe më i thellë. Megjithatë, i gëzohem tre pikëshit”.

SULMI – “Skuadra e Bylisit vrapon shumë, lufton shumë, aq më tepër në shtëpi. Nuk mund të pretendosh të rrish mbrapa dhe t’iu japësh terren. Mendova dhe i kërkova skuadrës që të luajnë sikur jemi ne në shtëpinë tonë. Edhe individualitetet tona ishin më të mira se kundërshtari”.

MERKATO – “Sa i përket bonusit që ka marrë Laçi, nuk jam unë personi që i takon për të kërkuar. Financat e klubit i di klubi, por jam i sigurt se Laçi dhe presidenti i saj nuk ka ngurruar kurrë për të ndërhyrë në merkato dhe për të gjetur individë të cilët mund të ndihmojnë ekipit. Edhe nëse ndonjë lojtar mund të shitet apo mund të mos rinovojë, jam i bindur se do të bëhet e pamundura për t’i zëvendësuar lojtarët.

E ARDHMJA – “E kam thënë dhe herë tjera, ky është futboll, profesionizëm, garë. Kontrata ime? Do të diskutoj me presidencën e Laçit. Dëshira është për të qëndruar, më shkon edhe mua për shtat, afër familjes. Megjithatë, mbetet për t’u diskutuar”, u shpreh Cungu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!