Kukësi nuk ka ndërmend të shkarkojë trajnerin Armando Cungu. Presidenti i klubit, Safet Gjici, mohoi lajmet e dala në media, por tregoi se kërkon maksimumin në ndeshjet e ardhshme të Superligës.
Nuk është i kënaqur, por ka vendosur të presë. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, e quajti të domosdoshme të dilte përpara gazetarëve për të larguar atë që e quajti krizë të stisur nga mediat në klubin e tij. Ai pati një përgjigje për ata që menduan se do ta hiqte trajnerin Armando Cungu.
“Nuk ka pasur asnjë vendim për ta hequr trajnerin nga skuadra. Armando Cungu është trajneri i Kukësit. Ka besimin tim në mënyrë absolute sepse këto rezultate të dobëta paçka se kanë qenë kanë qenë lojëra të mira, jo të dobëta. Doshta edhe fati edhe lojtarët e rinj akoma nuk janë përshtatur 100 përqind”, tha Gjici.
Gjithsesi, presidenti tregoi qartë se nuk mund të kënaqet me pak, dhe tha se çfarë kishte kërkuar nga lojtarët.
“Futbolli nuk është matematikë. Unë pres që sot kemi bërë një marrëveshje me lojtarët dhe në 4 ndeshjet e radhës duhet të marrin 12 pikë pastaj ecim”, tha Gjici.
Shpesh thuhet se vetë Gjici e vendos ekipin nën presion duke kërkuar gjithnjë fitore.
“Ne nuk vuajmë për presion se e kemi kaluar njëherë atë punën e presionit e kemi marrë njëherë titullin. Nuk ka presion fare te ne”, u shpreh ai.
Presidenti kritikoi edhe një herë udhëtimet e Cungut drejt Shkodrës, dhe deklaroi se trajneri këtej e tutje do të jetë më pranë ekipit. Kukësi është në vend të tretë në Superligë, me 8 pikë më pak se Partizani kryesues./abcnews.al