Laçi-Vllaznia ishte një ndeshje e veçantë për Armando Cungun, i cili përballej me ekipin e qytetit të lindjes. Trajneri shkodran, në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, analizoi lojën e skuadrës së tij me kuqeblutë e drejtuar nga Mirsad Jonuz.
FITORJA – “Djemtë kanë bërë punë të mirë në këto dy ndeshje. Ishin fitore jetike për të rikthyer besimin dhe për të kuptuar që djemtë janë të aftë për t’u përballur me sukses me çdo kundërshtar. Pikë të rëndësishme për psikologjinë”.
VLLAZNIA – “Nuk kemi luksin për të zgjedhur kundërshtarin. I tillë është futbolli, e tillë është jeta, të vë kundër së kaluarës. Më vjen keq, nuk mund të jem hipokrit. Bëj punën te Laçi. Pas Laçit mbështes Vllazninë dhe dëshiroj të bëjnë mirë.”
OBJEKTIVI – “Ç’ju është ngulur gozhdë kjo punë e titullit?! Vazhdoj të mendoj për ndeshjen e radhës, unë edhe djemtë”.
RASTET E HUMBURA – “Kemi shpërdoruar raste flagrante. Kemi djem të ri që janë e ardhmja e Laçit. Duhet të dëgjojnë më tepër për t’u përmirësuar dhe për të marrë përgjegjësi. Ekipi funksionoi mirë, por duhet të jemi më seriozë dhe më pragmatistë. Futbolli nuk është basketboll, që nëse humb një rast vjen tjetri. Duhet shfrytëzu çdo rast”.
NDRYSHIMI NË SULM – “Nuk ka ndonjë ndryshim. Djemtë ishin të ndërgjegjshëm për të marrë pikë,. Kërkuam një marsh, një shpirt dhe një luftë më tepër. Gjëja më determinante, kudo që të jesh, duhet të japësh maksimumin dhe ta bësh me zemër. Mund të jesh edhe gjeni, por nuk ia del pa vënë shpirtin në fushë”. /abcnews.al