Cungu: Bravo futbollistëve që besuan deri në fund, ja pse e zëvendësova Gjonin

schedule16:09 - 4 Mars, 2020

schedule 16:09 - 4 Mars, 2020

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku analizoi fitoren, foli për kalendarin e ngjeshur, si dhe falënderoi djemtë për faktin që besuan deri në fund dhe që fituan.

GJONI – “Nuk është problemi se gabon një lojtar, është e natyrshme (Gjoni). Jemi njerëz dhe gabimet janë normale. Gjoni e ka natyrë që  e vuan gabimin. Më pas, ai e vuan gjatë gjithë lojës dhe na duket sikur jemi me një lojtar më pak. Si pasojë, menduam t’i jepnim pushim, ta zëvendësonim dhe t’i jepnim mundësinë një lojtari të ri”.

PRESIONI – “Natyrshëm që është dhe presioni, pasi po futemi në fund të sezonit. Mundësitë për rikuperim janë të vogla, kanë mbetur vetëm 11 javë. Si pasojë, dhe presioni te këmbët e futbollistëve është I madh. Duhet të flasim me djemtë që të mos e mbartin këtë presion në fushën e lojës. Jam I bindur se ata do të futen në fushën e lojës për të bërë gjërat e duhura, pasi presioni nuk na çon askund”.

MUNGESAT – “Kampionati po vjen e po ngushtohet, lodhja e sportistëve është prezente, edhe kartonët gjithashtu. Natyrshëm që mungesat na penalizojnë, por unë gjej rastin dhe të falënderoi djemtë, që besuan deri në fund dhe ia arritën. Bravo”.

BYLISI – “Bylisi meriton komplimente, edhe nëse nuk bën asgjë deri në fund të sezonit, I meriton të gjitha fjalët e mia. Nuk mund të them se kanë dalë nga gara europiane, pasi janë dhe 11 javë. E rëndësishme për ne, ishte rezultati  I sotshëm. Ekipi i Bylis luftoi shumë, ishte kompakt dhe nuk kishim shumë hapësira për të shënuar. Ka pasur edhe Bylis mungesat e veta dhe pas barazimit të lojës, ndoshta kërkuan edhe diçka më tepër. Nëse do të fitonin sot, do t’i thoshim komplimente Dovedanit. Nuk mund të them se Dovedan bëri lëvizje të gabuara, kështu është futbolli”.

KAPITENI – “Natyrshëm që ekipe të tilla si Laçi, kalendari i ngjeshur na penalizon shumë. Por patjetër që kemi biseduar dhe me drejtuesit, gjërat janë të paracaktuara dhe nuk mund të ndryshojmë gjë. Ne thjesht duhet t’i bindemi urdhrave dhe t’i bindemi rregullave që ka vendosur FSHF. Unë kam ardhur dhe e kam gjetur Gjonin të dëmtuar. Është tip emocional, i mendon më shumë seç duhet situatat e tilla. Rrallëherë, shiriti i kapitenit është I rëndë, nuk ke vetëm përgjegjësi për vete, por dhe për ekipin. Ignjatevic, është lider edhe në dhomat e zhveshjes, thotë gjithmonë fjalët e duhura, si jashtë fushe, ashtu dhe jashtë”.

TENSIONI – “Kur mendja është e qetë, dëshira dhe ritmi është shumë i lartë. Por disa herë, futemi në tension për të zgjidhur ndeshjen shpejt. Por ndeshja zgjidhet me qetësi. Kishim sot momentet tona të mira, por bie dakord, duhet të ishim më të qetë në qarkullimin e topit”, tha Cungu./abcnews.al