Çuçi: Mbështesim sektorin e agropërpunimit, krijon vende pune

schedule17:26 - 7 Shtator, 2019

schedule 17:26 - 7 Shtator, 2019

Sektori i agropërpunimit në vend po gjen treg edhe përtej kufijve europianë. Por sfidë mbetet gjetja e fuqisë punëtore. Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi ishte në një sipërmarrje të përpunimit të prodhimeve bujqësore në Lushnje.

Produktet shqiptare po fitojnë terren për shkak të cilësisë së tyre në tregun e huaj, duke i kaluar kufijtë e Bashkimit Europian. Ministri i Bujqësisë e Zhvillimit Rural Bledi Çuçi vizitoi një fabrikë të përpunimit të prodhimeve bujqësore. Produktet e saj prej kohësh eksportohen edhe në SHBA përveç vendeve të Europës. Për ministrin e Bujqësisë industria e agropërpunimit në vend është një nga shtyllat kryesore që do të vazhdojë të mbështetet me fonde të qeverisë e të huaja.

“Ne do t’i japim përparësi sektorit të agropërpunimit. Është një nga sektorët që në të gjithë botën ka bërë ndryshimin në prodhimin bujqësor. Krahas promovimit të serrave apo sektorëve të tjerë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, për ne agropërpunimi është gjithashtu një nga shtyllat e rëndësishme për të patur një rritje cilësore të prodhimit bujqësor. Ky biznes ka aplikuar edhe në programin IPARD dhe besoj se do të jetë i favorizuar”.

Bizneset po hasen së fundmi me vështirësi për të gjetur fuqi punëtore, çka i frenon rritjen e mëtejshme. Ministri Çuçi tha se ndoshta ka ardhur koha që tregu i punës të hapet edhe për punëtorët e huaj./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!