CSKA e Moskës fiton Euroligën në Basketboll

schedule14:50 - 20 Maj, 2019

schedule 14:50 - 20 Maj, 2019

CSKA-ja e Moskës u shpall kampione e Europës në basketboll për meshkuj. Skuadra e madhe ruse triumfoi në finalen ndaj Anadolu Efesit të Turqisë, në ndeshjen e luajtur në Spanjë.

Do t’i duhen edhe dy tituj për t’u barazuar me rekordmenët. CSKA e Moskës është tani 8 herë kampione e Europës në basketboll për meshkuj, e dyta skuadër më e mirë në histori pas Realit të Madridit që ka 10 kupa.

Suksesi i radhës ishte ai i mbrëmshmi në Arenën e Vitorias në Spanjë, kur mundu 91-83 Anadolu Efesin e Turqisë, përpara 13 420 spektatorë.

Me triumfin gjysmëfinal ndaj Realit dhe atij final ndaj Efesit, skuadra moskovite ishte kampione e merituar e Euroligës, ndërsa ka mbërritur 8 herë radhazi në fazën finale, dhe 16 herë në 17 sezonet e fundit, duke fituar 4 tituj.

Ndaj Anadolu Efesit, rusët kryesuan gjatë gjithë kohës, ndonëse turqit nuk lejuan shkëputje, duke qenë 4 pikë larg dy herë në pjesën e katërt.

CSKA-ja u mbështet tek tre lojtarë kryesorë, amerikanët Uill Klajbërn e Kori Higins, si dhe tek francezi Nando De Kolo. Dy të parët shënuan nga 20 pikë, me Klajbërnin që shtoi edhe 5 topa në tabela e 2 asistë.

De Kolo realizoi 15 pikë, kapi 4 topa në tabela dhe shërbeu 4 asistë. Amerikani Shejn Larkin shënoi 29 pikë, duke qenë më i miri për Anadolu Efesin, e duke qenë shënuesi më i mirë në një finale që nga viti 2000.

Shumë fort luajti amerikani tjetër Brajant Danston me 13 pikë, 10 topa në tabela e 2 asistë. Kroati Krunoslav Simon shtoi 15 pikë, ndërsa ylli kryesor, serbi Vasilije Miçiç, u mbulua fort dhe shënoi pak.

Euroliga u fitua nga klubi me buxhetin më të madh, dhe trajneri Dhimitri Itudis falenderoi lojtarët e tij.

“Përgëzimet më të mira për basketbollistët e mi, – tha tekniku grek, – ne kemi një grup të fortë, që ka dëshirë të konkurrojë dhe të fitojë.  Njerëz aspak egoistë, por që mendojnë për skuadrën. Nuk ishte e lehtë, dhe ka ndodhur që kemi humbur ndeshje të tilla, por këtë herë ishte koha për sukses”.

Edhe lojtari më i mirë i fazës finale të Euroligës ishte i CSKA-së, amerikani Uill Klajbërn. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!