Cristiano Ronaldo është në prag të një transferimi të ri dhe të jashtëzakonshëm. Ylli i Realit besohet se ka arritur një akord me Juventusin.
Botërori përfundoi, por një aventurë e re është në prag.
Cristiano Ronaldo edhe kur nuk e arrin objektivin e tij të madh sërish është në qendër të vëmendjes dhe media e tifozët nuk do të flasin vetëm për çerekfinalet e Kupës së Botës. Topi i Artë me shumë gjasë e ka gjetur skuadrën e tij të re, Juventusin.
Kampionen e Italisë e njeh mirë, pasi është ndeshur disa herë me të, me fanelën e Realit të Madridit. I shënoi një supergol sezonin e kaluar në Champions, po ashtu si shënoi dy gola në finalen e vitit 2017 po në Champions.
Një ish-drejtues i lartë juventin, po ashtu ish-drejtues i Partizanit të Tiranës, Luciano Moggi, deklaron se Ronaldo tashmë ka nënshkruar për Juven dhe ka kaluar vizitën mjekësore në Mynih.
Përse lojtari më i mirë i botës vitin e kaluar po largohet nga klubi më i madh i botës, në të cilin ka fituar aq shumë? Arsyeja kryesore besohet se është ajo financiare, pasi presidenti Perez nuk pranoi t’i jepte një rrogë të ngjashme me Lionel Messin.
Pas rinovimit të kontratës vitin e kaluar, madrilenët i ofrojnë deri në 25 milionë euro në sezon. CR7-ta po ashtu besohet se është i ofenduar që Perez po kërkon me ngulm brazilianin Neymar, që do të ishte rival i tij për statutin e lojtarit më të mirë në skuadër.
Klauzola e transferimit të Ronaldos është 1 miliardë euro, por besohet se që nga janari i këtij viti, Perez ra dakord që klauzola reale të zbriste në 100 milionë euro. Kjo i ka dhënë shkas Cristianos që të akuzojë se “nëse unë vlej 100 milionë euro, do të thotë se nuk më duan”.
Drejtuesit e Juventusit, Beppe Marota e Andrea Agnelli, janë gati ta paguajnë këtë shifër. Problemi i vetëm mbetet rroga, pasi Ronaldo kërkon sa Messi, ndërsa italianët mund t’i japin 30 milionë euro në sezon. Gjithsesi, nëse akordi është arritur, do të thotë se është rënë dakord edhe për rrogën./abcnews.al