COVID mori 8 gazetarë, Unioni thirrje qeverisë: Na vaksinoni

schedule17:52 - 15 Mars, 2021

schedule 17:52 - 15 Mars, 2021

Sot u nda nga jeta për shkak të COVID-19 gazetari Arben Kosturi. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë duke listuar edhe disa emra të tjerë të njohur gazetarësh që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje, i kërkon qeverisë që ta përfshijë këtë kategori te prioritetet për t’u vaksinuar. “Duhet të pohojmë se tashmë përfshihemi ndër komunitetet profesionale më të prekura prej virusit pandemik. Gjejmë rastin që për këtë arsye, vaksinimi dhe kujdesi shëndetësor për gazetarët dhe operatorët në teren, duhet të jenë një prioritet i institucioneve të shëndetit publik” thuhet në deklaratë. Deri tani, Unioni deklaron se kanë humbur jetë nga koronavirusi gazetarët Arben Kosturi, Lek Plani, Zenepe Luka, Prend Shota, Nuri Dragoi,  Arben Çeli, Koço Devole si dhe Kasem Hysenbelliu.

Deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

“Lamtumirë  kolegu ynë i dashur Arben Kosturi! A nuk mjaftojnë kaq humbje jetësh të gazetarëve që vaksinimi të përfshijë dhe reporterët e terenit?!

Tiranë me 15.03.2021

Pas një beteje dy javore me COVID-19, ka humbur sot jetën, gazetari i njohur korçar, udhëheqësi i organizatës Disutni Albania, anëtari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Arben Kosturi.  Në moshën 53 vjeçare ai la pas pesë fëmijë të shkëlqyer, dy djem dhe tri goca si dhe zonjën e vet Mimozën.

Arben Kosturi për më shumë se dy dekada udhëhoqi nismat dhe drejtoi disa emisione radiotelevizive në gjuhën rome. Ai ka një kontribut të shquar për kauzat e komunitetit rom dhe egjyptian në Shqipëri. Arben Kosturi shquhej si një ndër aktivistët më të spikatur në veprimtaritë e organizatave rajonale dhe ndërkombëtare për të drejtat e romëve. Në Shqipëri ai zhvilloi një cikël veprimtarish dhe udhëhoqi shumë nisma për përmirësime të këtyre të drejtave dhe atyre ligjore. Por puna dhe përkushtimi i tij i paharruar, lidhet me ndihmesën njerëzore që shpërndau në dhjetra dhe qindra shtëpi dhe shkolla të komuniteteve rome dhe egjyptiane në Korçë, Pogradec dhe në vise të tjera të vendit. Arben Kosturi ishte ndër themeluesit e degës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë për qarkun e Korçës dhe po punonte për krijimin e degës së UGSH për gazetarët romë dhe egjyptianë në Shqipëri.

Pesë ditë më parë në një bisedë telefonike me kreun e UGSH-së Aleksandër Çipa ndërsa përballej me vështirësi në frymëmarrje, por me optimizmin e tij të veçantë, ndante me kolegët e zyrës qendrore gadishmërinë për më shumë aktivitet dhe përkushtim ndaj gazetarëve romë.

Të nderuar kolegë!

Ndarja nga jeta e kolegut tonë Kosturi, shumëfishon dhimbjet e shkaktuara nga humbjet e mëparshme të jetëve të kolegëve të njohur: Lek Plani, Zenepe Luka, Prend Shota, Nuri Dragoi,  Arben Çeli, Koço Devole si dhe pronari i Fax Neës, Kasem Hysenbelliu. Pas këtij rasti, duhet të pohojmë se tashmë përfshihemi ndër komunitetet profesionale më të prekura prej virusit pandemik.

Gjejmë rastin që për këtë arsye, vaksinimi dhe kujdesi shëndetësor për gazetarët dhe operatorët në teren, duhet të jenë një prioritet i institucioneve të shëndetit publik..

Unioni u Gazetarëve Shqiptarë u shpreh familjarëve të kolegut të paharruar Arben Kosturi ngushëllime të thella. Ne miqtë e kolegët e tij kemi besim se vajzat e tij: Marinela dhe Enxhi si dhe krejt familja, do ta vazhdojnë pamëdyshje punën dhe kontributin e At-it të tyre, duke e çuar atë më tej në shërbim dhe rritje të dinjitetit të komunitetit të nderuar rom.

UGSH në këtë përcjellje i shpreh kolegut tonë të dashur mirënjohjen dhe falenderimin për punën, kontributin dhe vlerat e veçanta njerëzore e qytetare si dhe profesionale që mbarti gjatë gjithë jetës!

Lamtumirë kolegu ynë i dashur! Lamtumirë Arben i shtrenjtë! Ti do të jesh përherë mes nesh, me qeshjen dhe gazin tënd prej optimisti të përhershëm!

Ngushëllime familjes Kosturi!

Zyra e shtypit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!