Covid-19 “shkatërron” jo vetëm trupin por edhe xhepin, sa kushton trajtimi në shtëpi me ilaçe

schedule15:28 - 23 Shtator, 2020

schedule 15:28 - 23 Shtator, 2020

Nga Ajgena Korbi

Një i infektuar me koronavirus pas shqetësimit për ecurinë e sëmundjes ka dhe atë të shpenzimeve për trajtimin e saj. Aktualisht rreth 5 mijë të prekur  në të gjithë vendin  po ndiqen  nga mjeku i familjes dhe koston duhet ta përballojnë vetë.

Por sa i kushton një të sëmuri me Covid 19 kurimi në shtëpi?

Ne pyetëm disa prej farmacisteve në Tiranë dhe kjo është receta me e shpeshtë që ata kanë ekzekutuar.

Farmacistja Ervelinda Kilia na tregon se një të prekuri nga koronavirus, pa probleme të tjera shëndetësore dhe që po kalon një stad mesatar të Covid-19 për 14 ditë përgjithësisht mjeku i ka rekomanduar dy lloje antibiotikësh, kortizonikë, hollues gjaku dhe vitamina.

Kjo kurë kushton nga  rreth 12 mijë lekë në rreth 15 mijë lekë nëse pacienti merr gjilpëra dhe blen gjithashtu aparatin për matjen e nivelit të oksigjenit.

“Është vënë re një ndërgjegjësim në masë. Oksimetri nuk është shitur vetëm në rastet e pacientëve të diagnostikuar me Covid-19, por edhe raste që mund të kenë pasur dyshime ose simptoma të lehta.”

Kosto e mjekimit bie nëse i infektuari ndodhet në gjendje lehtë. Nëse ka sëmundje shoqëruese, shëndeti i është rënduar apo ka nevojë për trajtim me oksigjen dhe për dy javë i duhet të marrë me qira aparaturën e posaçme, sipas farmacistëve, ajo shkon rreth 35 mijë lekë.

“Në rastet e pacientëve në gjendje më të agravuar apo të moderuar, mund të përfshihen antibiotikët ampulë në rastet e Ceferinës ose në rastin e Levofloksacinës ampulë. Gjithashtu edhe antikoagolantët, përsëri janë ampula që aplikohen nën lëkurë…Aparatet e oksigjenit shumica i kanë marrë me qira.”

Kjo është vetëm ajo që një i infektuar me koronavirus duhet të shpenzojë për mjekimin.

Nëse do të shtojmë pagesat për maska, dezinfektantë, infermierin  që do të bëjë gjilpërat në kushtet e shtëpisë, analiza dhe ekzaminime të tjera fatura financiare do të rritet ndjeshëm. /abcnews.al/