COVID-19 “paralizon” ekonominë, Teliti: I vetmi aktor i tregut që nuk po kryen detyrën është qeveria

schedule15:40 - 1 Maj, 2020

schedule 15:40 - 1 Maj, 2020

Eksperti i ekonomisë i Partisë Demokratike Dorian Teliti në një intervistë për “ABC News” ka akuzuar qeverinë për situatën e pandemisë duke u shprehur se nuk ka krijuar masa konkrete për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në vend. E vetmja mënyrë që i është ofruar bizneseve nga qeveria është marrja e borxheve.

Masat lehtësuese të ndërmarra nga qeveria sipas tij nuk janë marrë në bazë të një analize të qartë, vendimmarrja për operimin e disa bizneseve janë amatoreske. Sot biznesi shqiptar dhe konsumatori nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare, Teliti gjithashtu theksoi se duhet të ketë një menaxhim të krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike.

“36 milion euro është ndihma e qeverisë shqiptare ndaj mijëra qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve që operojnë me vështirësi. Ndërkohë ata që ishin miq dhe shokë edhe përpara tërmetit vazhdojnë akoma të marrin para nga arka e shtetit. Vazhdon edhe në kohë lufte të mos mbështesë shqiptarët. Në momentin që ka shpallur gjendje n e fatkeqësisë duhet ti vijë në ndihmë shqiptarëve, por e vetmja gjë që ka bërë është orientimi drejt borxhit. Kemi 61 persona të pushuar nga puna në 15 ditë të karantinës.

Në javët e ardhshme mund të kemi një korona-ekonomi dhe qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë me masa konkrete. I vetmi aktor i tregut që nuk po kryen detyrën e saj është vetë qeveria. Në rast se alokohen 90 milion euro në ndihmë të ekonomisë në harkun kohor të 3-4 muajve situata mund të kthehet në normalitet. Sektori i turizmit është tërësisht i paralizuar dhe do të jetë ai që do të ketë goditjen më fatale. Përqendrimin e saj kryesor e ka në periudhën e verës. Shteti ka për detyrë të mbështesë bizneset”, u shpreh ai.

Gjatë intervistës Teliti foli edhe për sektorin e bujqësisë i cili sipas tij është një nga bizneset e prekura nga COVID-19. Edhe pse ai shtoi se mund të mos jetë prekur njësoj si sektorë të tjerë të cilat kanë pësuar humbje drastike, por ndikimi negativ është ndjerë edhe në këtë fushë të bujqësisë. “Do të ketë një ulje të ndjeshme deri në  20-30% të mbledhjeve që do të përkthehet në një numër më të ulët të  ardhurave”, shtoi Teliti.

Ai gjithashtu shtoi se për shkak se njerëzit janë të braktisur i janë rikthyer protestave.

Sa i përket kontratave sekrete e cila vet PD ka denoncuar gjatë pandemisë Telit tha se ka vetëm dy informacione që jepen për këto kontrata, objektin e kontratës dhe emrin e firmës fituese. Nuk ka asnjë informacion tjetër për bizneset që futen në garë.

“ Sot na qenka sekret shtetëror letra higjienike që blihet nga qeveria shqiptare apo maskat. Këto nuk përbëjnë një cenim të interesit shtetëror. Departamenti i Anti-korrupsionit në PD është në punë 24 orë dhe në rast të tjera do të mbështesë zbardhjen e të vërtetës, tenderët po kryhen me çmime më të larta. Sot që jemi në krizë vazhdojnë të vjedhin”, tha më tej Teliti./abcnews.al