COVID-19, Ndoka: Burg shtëpie me urdhër të kryeministrit, duhet të izoloheshin vatrat

schedule12:47 - 24 Prill, 2020

schedule 12:47 - 24 Prill, 2020

Ish-ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka në studion e “ABC News” ka folur për situatën e koronavirusit. Vetëizolimin Ndoka e ka cilësuar si një “burg shtëpie” me urdhër të kryeministrit. Sipas Ndokës për menaxhimin e pandemisë nuk ka pasur transparencë nga qeveria.

Ai u shpreh se në spitalet tona ka pasur shumë humbje jetë edhe gjatë muajve dhjetor apo janar, ndërsa shtoi se koronavirusi ka qenë prezent në Shqipëri shumë më herët. Ndoka vuri në dukje se statistikat asnjëherë nuk janë bërë transparente.

“Virusi ishte shumë i rrezikshëm për moshat e treta, por fare pak i rrezikshëm për pjesën tjetër. Kryeminstri jonë ka krijuar panik, duke folur për një numër prej 18 mijë personash që humbin jetën, duke frikësuar edhe qytetarët e tij. Ai ishte në panik për veten e tij. Kam përshtypjen që ka kënaqësi për izolimin, duke blerë edhe dron për parë situatën, ai po tallej në njëfarë mënyre me qytetarët. Asnjëherë nuk promovoi personalitete të shëndetësisë që të flisnin me transparencë për të informuar qytetarët”, tha Ndoka.

Ndër të tjera Ndoka theksoi se mungesa e transparencës ishte e dukshme, ndërsa shtoi se ishte i vetmi  kryeministër i cili fliste për luftë: “por se me çfarë luftoi ky kryeministër, nuk e pamë”, u shpreh ai.

Lexo edhe: Koronavirus, Nard Ndoka: Krim njerëzor ndaj personelit mjekësor, duhet hetuar

Hapi i parë që ju do të ndërmerrnit nëse do të ishit Ministër Shëndetësie?

Ndoka: Kam pasur këshilltarët më të mirë, sot këto i kanë penalizuar. Kryeminstri nxjerr disa personazhe politike. Sistemi shëndetësor ka potenciale, duhet të mbështeteshin tek ato. Ajka e sistemit nuk janë këto që promovon kryeministri.

Do ta izolonit Shqipërinë?

Ndoka: Duke u mbështetur në një realitet, gjykoj që izolimi i Shqipërisë ishte kot. Duhet të izolonim vatrat pa i penalizuar të gjithë. Duhet të ishte transparente numri i të prekurve.

Gjatë bisedës në studio ish-ministri i Shëndetësisë tha se sipas një informacioni të tij QSUT nëpërmjet tre fazave ajo  të ishte një qendër spitalore me lidhje mes tyre duke përfshirë edhe infektivin. Por, projekti dhe mënyra e financimit nuk u bënë efektiv nga “Rilindja” këto shtatë vite.

Sa i përket zhvillimeve politike dhe diskutimet nëpërmjet palëve, Ndoka vlerësoi vendimet e Presidentit Meta ndërsa tha se po përpiqet ta mbajë institucionin larg politikës edhe pse ndaj tij ka pasur pakënaqësi.

Ndryshimet e bëra në Kodin Penal Për Ndokën nuk duhet të ishin miratuar, ndërkohë ai shtoi se vendi është në kushte emergjente dhe masat që merren për sensibilizimin dhe parandalimin e COVID-19 janë të domosdoshme. “Sipas tij nuk ka asnjë “zbutje” ndaj mazhorancës”, tha Ndoka, ndërsa shtoi se Presidenti po jep kontributin e tij në këtë situatë pandemie./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!