Kuvendi i Shqipërisë miratoi Aktin Normativ për rishikimin për herë të tretë të buxhetit të shtetit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-it, ku u ulën në mënyrë drastike pritshmëritë për të ardhurat dhe u dyfishua deficiti buxhetor.
Është miratuar me 87 vota heqja e tatim-fitimit e rritja e pragut të TVSH. Në Kuvend u miratua me 86 vota ndryshimi i buxhetit i 3 i buxhetit 2020. Gjithashtu është miratuar Akti Normativ për mbylljen e diskove gjatë pandemisë.
Akt Normativ nr. 30, datë 20.07.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta
administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar”” ka marrë 87 vota pro, 11 kundër dhe abstenim.
Duke prezantuar ndryshimet në Aktin Normativ dhe penalitetet, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se klubet e natës u kthyen në vatra të përhapjes së infeksionit dhe se do të ndërmerret çdo masë që do të vlerësohet e nevojshme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Vendosja e penaliteteve të shtuara për klubet e natës, diskove apo çdo lloj shërbimi të kësaj natyre të cilat kanë pasur detyrimin në fakt që në krye të herës për të mos u hapur, është një masë që ndërmerret për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sepse ato janë kthyer në vatra potenciale infeksioni.
Të rinjtë po bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit tek moshat e tjera, tek prindërit dhe tek të moshuarit apo tek ata më të dobëtit. Detyrimi që vendoset tani nëpërmjet këtij Akti Normativ, jo vetëm përcakton rritje të masës së penalitetit por gjithashtu vlerëson një pezullim për një periudhë 1-vjeçare në rastet kur këto subjekte nuk i binden këtij ligji”, tha Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend.