Covid-19 fut në “kolaps” gjykatat, vetëm një prej tyre pa të infektuar

schedule16:26 - 5 Nëntor, 2020

schedule 16:26 - 5 Nëntor, 2020

Nga Glidona Daci

Koronavirusi ka prekur në masë sistemin gjyqësor në vend. Në Gjykatën e Posaçme dhe në SPAK janë të konfirmuar 11 persona pozitive, midis tyre prokurorë e gjyqtarë dhe staf administrativ.  Puna në këto institucione vijon me masa strikte. Askush nuk lejohet të futet pa maske dhe pa iu matur temperatura.

Burime nga SPAK kanë bërë me dije se janë në pritje të përgjigjes së tamponit edhe disa punonjës të tjerë, kontakte të personave te konfirmuar pozitive. Edhe gjykatën Penale te Tiranës, sipas burimeve janë konfirmuar disa perona me Covid, por kjo gjykate vijon punën duke zhvilluar proceset gjyqësore. Ndërsa për 5 ditë është pezulluar puna në seksionin Civil te gjykatës së Tiranës, për të shmangur rritjen e numrit të të infektuarve.

Burime zyrtare thanë që nëse do të vazhdoje të ketë raste të reja atëherë gjykata do të mbyllet plotësisht me përjashtim të rasteve emergjente të cilat do të shqyrtohen siç janë urdhrat e mbrojtjes. Ndërsa në Gjykatën Administrative të Apelit po shqyrtohen vetëm çështjet me karakter emergjent që janë në tejkalim të afateve ligjore. Në këtë gjykatë situata është kritike edhe për shkak të uljes së numrit të gjyqtarëve për shkak te shkarkimeve nga vettingu. Aty është krijuar  një stok me rreth 16 mijë dosje. Apeli i kryeqytetit është thuajse në kolaps dhe në arkiva janë rreth 14 mijë çështje.

Raste pozitive për Covid janë konfirmuar edhe në gjykatën e Durrësit. Të  prekur janë dy gjyqtarë, një prokuror,  një oficer i policisë gjyqësore, dhe disa punonjës të administratës. Nga data 5 deri më datë 16 nëntor  do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë dhe seancat gjyqësore urgjente. Po e njëjta situatë është në gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, atë të Vlorës, Korcës, Elbasanit e tjerë. Kolapsi që po krijohet nga koronavirusi ka shqetësuar të paraburgosurit qe po ankohen për zvarritje të proceseve gjyqësore. Ndërsa personat me rekorde kriminale po e shfrytëzojnë situatën,  për të përfituar nga afatet  e paraburgimit./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!