COVID-19/ A mundet Kina të testojë të gjithë Wuhan-in në vetëm 10 ditë?

schedule09:03 - 16 Maj, 2020

schedule 09:03 - 16 Maj, 2020

Kina po harton plane ambicioze për të testuar të gjithë popullsinë e Wuhan, qyteti ku filloi pandemia Covid-19. Ky njoftim erdhi pas shfaqjes së gjashtë rasteve të reja të koronavirusit në qytet – të parat që nga fillimi i prillit, shkruan BBC.

Autoritetet fillimisht kishin premtuar të testonin të gjithë 11 milion banorët brenda 10 ditësh.Por tani duket se ata mund të synojnë një periudhë kohore më pak ambicioze.

Sa kohë do të zgjasë testimi?

Në fund të prillit, autoritetet lokale të Hubei raportuan se 63,000 njerëz po testoheshin në Wuhan çdo ditë.

Dhe deri më 10 maj, kjo shifër kishte rënë në pak më pak se 40,000. Ka më shumë se 60 qendra testimi në të gjithë qytetin, sipas gazetës zyrtare Hubei Daily.

Këto kanë një kapacitet maksimal prej 100,000 testesh në ditë më së shumti, duke e bërë të vështirë të shihet se si mund të përmbushet një objektiv i testimit të të gjithë popullatës në vetëm 10 ditë. Kështu që autoritetet kanë deklaruar që testet nuk do të fillojnë dhe përfundojnë brenda të njëjtës periudhë 10-ditore.

“Disa rrethe do të fillojnë nga 12 maji, të tjerët nga 17 maji,” tha Qendra e Wuhan për Kontrollin e Sëmundjeve. “Secili qark do i  përfundojë testimet e tij brenda 10 ditëve nga data e fillimit.” Dhe sipas një raporti të Reuters më 13 maj, përgatitjet për kryerjen e testeve kishin filluar në dy nga 13 rrethet e qytetit.

Sa janë testuar deri më tani?

Autoritetet thonë se janë testuar më shumë se tre milion njerëz në qytet. Zëvendësdrejtori i departamentit të biologjisë patogjene të Universitetit Wuhan, Yang Zhaniu i tha gazetës Global Times se ai besonte se deri në pesë milion banorë të Wuhan mund të jenë testuar tashmë.

Popullsia e qytetit – 11 milion – gjithashtu ka pasur luhatje me kalimin e kohës. Autoritetet thanë që deri në pesë milion njerëz ishin larguar nga qyteti për festën hënore të Vitit të Ri para izolimit të vendit që filloi në 23 janar. Izolimi zgjati deri më 8 prill, por nuk dihet se sa prej këtyre banorëve janë rikthyer aktualisht.

A duhet të testohen të gjithë?

Yang Zhaniu nga Universiteti i Wuhan tha se nuk kishte nevojë për të testuar të gjithë ata që jetojnë në lagje  në të cilat nuk ka pasur raste të raportuara me koronavirus.

 

Autoritetet thanë se do të fillojnë me njerëzit që konsiderohen më të rrezikuar – për shembull në zonat më të vjetra, më të dendura me popullsi, si dhe me ata në punë kryesore, siç është kujdesi shëndetësor. Gjithashtu, njerëzit që janë testuar në shtatë ditët e mëparshme nuk do të kenë nevojë të testohen përsëri. Por shefi epidemiolog i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Wu Zunyou tha për TV shtetëror: “Virusi mund të zgjasë më shumë për tu manifestuar tek pacientët me imunitet të dobët dhe këta njerëz janë gjithashtu të prirur për simptoma që u ikin dhe ju rikthehen sërisht”.

Yang Zhaniu shtoi: “Kurrë nuk do ta dimë nëse njerëzit infektohen pasi rezultojnë negativë”. Dhe zyrtari i Këshillit për Punë të Jashtme me qendër në SHBA për shëndetin global Huang Yanzhong tha: “Ende do të ekzistojë mundësia e shpërthimeve të izoluara në të ardhmen, të cilat as testimet në shkallë të gjerë nuk do t’i adresojnë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!