Thibaut Courtois po kalon një moment shumë pozitiv. Portieri belg është kthyer në formën e ditëve më të mira dhe me pritjet e tij po ndihmon Real Madrid të arrijë rezultate pozitive.
29-vjeçari (feston ditëlindjen tetë ditë më vonë) ka folur për Telefoot rreth aventurës me “Los Blancos”, të cilët i cilëson si ekipin më të madh në botë. Në fund edhe dy ëndrrat e fëmijërisë, që nuk i ka realizuar akoma.
“Te Reali nuk mungon kurrë presioni, pasi po flasim për skuadrën më të mirë në planet. Ndihet shumë entuziazmi i tifozëve, është tjetër dimension këtu. Ndihem gjithnjë e më i rëndësishëm te kjo skuadër.
S’e kisha imagjinuar kurrë që do të luaja një ditë me Realin, e mendoj një gjë të tillë sa herë që vij në stadium. Sezoni im më i mirë? Varet sesa trofe do të kemi fituar në fund, kjo është ajo që ka rëndësi.
Objektivat? Jemi më fat që ndodhemi në gjysmëfinalet e Champions League. Kam besim te cilësitë tona. Fitimi i një trofeu me Belgjikën dhe i Champions League me Realin kanë qenë dy ëndrrat e mia të fëmijërisë.
Nuk i kam realizuar akoma, shpresoj t’ia dal sa më shpejt të jetë e mundur“, deklaroi portieri belg, i cili po zhvillon një sezon fantastik, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të këtij sezoni tek ekipi i Zidane. /abcnews.al