Ish-mbrojtësi i Milanit, Alessandro Costacurta, është shumë i lumtur për ecurinë e kuqezinjve si dhe deklaron se të gjithë meritat për këtë sukses i ka Zlatan Ibrahimovic. Të besuarit e Stefano Piolit kanë plot 12 ndeshje pa humbur në Seria A, që nga rifillimi i futbollit në qershor, por Costacurta e vuri re ndryshimin që në muajin janar në ekipin kuqezi.
“Jam shumë optimist. Lojtarët tashmë e kanë kuptuar filozofinë e Piolit dhe ecuria e tyre është thjesht fantastike. Përpara se të vinte Ibra, Pioli po luante me ritmin e Giampaolit, ndërsa tani e ka dyfishuar atë”, deklaron italiani për “Sky Sport Italia”.
”Për mua është më shumë një Milan para dhe pas Ibrahimovicit, sesa një Milan para dhe pas pandemisë së Coronavirusit”, mbyll Costacurta, duke thurur elozhe për gjigantin suedez. “Djalli” e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë në renditje, duke siguruar kështu rikthimin në Europa League. /abcnews.al