Juventus-Milan, ndeshja e kthimit në Kupën e Italisë, është shtyrë, edhe pse kuqezinjtë kishin udhëtuar në Torino dhe ishin gati për ndeshjen. Tashmë është shtyrë edhe një tjetër takim dhe bëhet fjalë për përballjen Napoli-Inter.
Lega Calcio ia kishte propozuar shtyrjen e ndeshjes presidentit të Napolit, Aurelio Di Laurentiis, i cili në mbrëmje pranoi shtyrjen e ndeshjes. Ai nuk ishte dakord që takimi të luhej pa tifozë, madje u tërbua nga një propozim i tillë.
Klubi ku luan edhe mbrojtësi Elseid Hysaj, ka shitur 42 mijë bileta për sfidën e kupës dhe kërkon që të ketë mbështetjen e tifozëve në këtë ndeshje të rëndësishme për ta. Së fundmi ka ardhur edhe njoftimi zyrtar për shtyrjen e kësaj ndeshjeje, teksa Lega Calcio ka dalë me një komunikatë.
Shtyrja e ndeshjes është bërë për arsye të shëndetit publik. Situata në Itali është e rëndë prej Coronavirus. Numri i të prekurve është rritur nga dita në ditë, ndërkohë që ka edhe dhjetëra të vdekur si pasojë e prekjes nga virusi. /abcnews.al