Sulmuesi i Manchester Cityt, Raheem Sterling, mund të jetë në telashe. Bomberi anglez mori pjesë javën e kaluar në festën e ditëlindjes së Usain Bolt, i cili ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Lajmin e ka bërë të ditur një radio xhamaikane dhe mundësitë që edhe Sterling të jetë infektuar janë të mëdha.
Videot dhe fotot nga festa e organizuar për ish-kampionin olimpik bënë xhiron e rrjetit, pasi askush nuk kishte vendosur maskë dhe nuk e respektonte distancën e lejuar. Sipas pranë një burimi të afërm të lojtarit, sikurse raporton “The Sun”, 25-vjeçari është mirë dhe deri më tani nuk ka simptoma të virusit.
Mbetet për t’u parë nëse ai do t’ia dalë të jetë pjesë e kombëtares angleze në sfidat e vlefshme për Nations League, pasi Raheem do t’i nënshtrohet menjëherë testit. Gjithashtu në festë ishin të pranishëm dhe sulmuesi i Bayer Leverkusen, Leon Bailey, si dhe ylli i kriketit, Chris Gayle. /abcnews.al