Me fat dhe për meritë të Samir Handanovic, Inter ia doli të evitonte humbjen në shtëpi përballë Atalantës. Mungesat patën ndikimin e vet, por zikaltrit vuajtën përballë ekipit bergamask, që konfirmoi sërish futbollin e saj spektakolar dhe plot ritëm e intensitet.
Antonio Conte ka analizuar barazimin, nuk i kursen elozhet për ekipin kundërshtar dhe djemtë e tij, dhe pranon në fund se do të kishte firmosur që përpara për katër pikë përballë Napolit dhe Atalantës.
“E përballuam Atalantën me katër mungesa dhe diçka e tillë do të thotë shumë për ne në këtë moment. Luajtëm kundër një skuadre që intensitetin dhe forcën fizike i ka ndër pikat më të forta. Ata janë të aftë dhe kanë një kontingjent të pasur që e kanë ndërtuar me kalimin e viteve.
Atalanta e mbylli sezonin e kaluar sipër nesh, ndërsa sivjet kemi 11 pikë më shumë se ata. Kjo e bën të jashtëzakonshëm rrugëtimin tonë deri tani. Duhet të jemi realistë, vetëm me punë mund të rritemi. Mungesa e Barellës dhe Vecinos ndikoi. Jam i lumtur që kam rikuperuar Sensin, i cili luajti mirë për 70 minuta.
Po tentojmë të rikuperojmë edhe Sanchez në sulm. Nuk është e thjeshtë, por shpresoj që të mos kemi më këto lloj situatash emergjente. Djemtë po japin gjithçka dhe duhen lavdëruar për atë që po bëjnë. Do të kisha firmosur për të marrë 4 pikë ndaj Napolit dhe Atalantës në këto kushte që jemi“, përfundon Antonio Conte. /abcnews.al