Antonio Conte ndihet mirë që një lojtar si Christian Eriksen ka zgjedhur të luajë për Interin, ashtu sikurse edhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe Romelo Lukaku dhe Ashley Young. Të tre këta futbollistë janë larguar nga Premier League dhe tani luajnë në Serie A, gjë që vitet e fundit nuk ka ndodhur lehtësisht.
“Eriksen është një goditje e madhe për këtë klub, pasi ai kishte shumë mundësi zgjedhjeje dhe në fund vendosi të vinte tek Interi. Kjo tregon se Interi është parë me syrin e duhur dhe të gjithë po punojnë që ky brand ta ruajë shkëlqimin”, është shprehur trajneri italian.
Në lidhje me danezin ai ka shtuar: “Ai nuk ka luajtur shumë kohët e fundit me Tottenham, por është në një formë të mirë fizike dhe po fillon të kuptojë idetë tona se si luajmë futboll. Kemi folur shumë me të dhe ai e di çfarë duam prej tij. Fatmirësisht është një nga ata që mëson shpejt. Jam i kënaqur që tre lojtarë vendosën të lënë kampionatin anglez dhe të vijnë tek Interi”.
A është Interi për titull? Conte shpreson që të mos kenë dëmtime dhe më pas çdo gjë do të tregohet në fushë. “Koha do të tregojë nëse Interi ka një ekip për titull. Jam i kënaqur që punoj me këta lojtarë, por ata ende duhet të mësojnë stilin e lojës tonë dhe gjuhën. Kur të nisë periudhe e ndeshjeve intensive, gjëja e vetme që mund të bëjmë është kryqëzimi i gishtave dhe të shpresojmë që të mos kemi dëmtime.
Të gjithë e dini çfarë na ka ndodhur në pesë muajt e parë. Shumë lojtarë janë detyruar të luajnë çdo tre ditë. Shpresoj të kem më shumë mundësi zgjedhjeje dhe të bëj rotacion”, u shpreh Conte para ndeshjes kundër Udinese, ndërkohë që ndjen keqardhje që nuk do të ketë në këtë takim Lautaro Martinez të pezulluar. /abcnews.al