Çomo: 50 pacientë të shtruar në spitale, nëse do ishin vaksinuar, do kishim më pak humbje jete

schedule11:30 - 2 Mars, 2022

schedule 11:30 - 2 Mars, 2022

Drejtoresha e Spitalit Infektiv Najada Çomo deklaroi në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve se aktualisht janë 50 pacientë të shtruar në spitale.

Çomo u shpreh se 10% e tyre janë forma të rënda dhe kritike, ndërsa shtoi se pjesa më e madhe e tyre janë të pavaksinuar.  Çomo tha se pavarësisht uljes së shifrave, ka çdo ditë viktima.

“Një muaj më parë kemi pasur të shtruar 175 pacientë. Sot numri i pacientëve është 50 të shtruar në spital. 10% janë forma të rënda dhe kritike. Pjesa e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar. Pavarësisht se kemi ulje të të shtruarve në spital, kemi vdekje çdo ditë.

Nëse këta persona do ishin vaksinuar, humbjet e jetës do kishin qenë më të ulëta. Pavarësisht se kemi ulje të numrit të rasteve duhet të vazhdojë procesi i vaksinimit”, u shpreh Çomo.

Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive, Gjoorgjina Kuli tha se janë 7 fëmijë të prekur nga COVID të shtruar në spitale që janë në gjendje të stabilizuar dhe në pritje të përfundimit të terapisë.

“Javën e fundit vihet re një ulje e shtrimeve. 7 fëmijët që janë në spitale janë në gjendje të qetë dhe në pritje të përfundimit të terapisë. Insistojmë për vaksinimin e grupmoshës mbi 12-vjeç pasi është një grupmoshë aktive”, deklaroi ajo.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj u shpreh se vaksinimi është arma më e fortë ndërsa vuri theksin te doza e tretë.

“Sigurisht që të gjithë indikatorët janë në rënie. Ka një rënie të numrit të thirrjeve dhe vizitave për COVID. Forma të rënda janë ato që ne çojmë më shumë drejt spitaleve. Sigurisht që vaksinimi është arma jonë më e mirë. Edhe dozat e treta duhet të vazhdojmë që të mos kemi përkeqësim në muaj e ardhshëm. Është një proces dinamik që po e vlerësojmë çdo ditë”, tha Brataj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!