Partizani mori fitoren e dytë në po kaq ndeshje dhe kryeson kampionatin. Trajneri Giovanni Colella, pas triumfit me Laçin, deklaroi në Oversport: “Nëse e mbyllim kampionatin me 6 pikë do të thotë që biem nga kategoria. Ka ende shumë për të punuar. Kemi bërë një ndeshje të bukur, por i patë rastet dhe shpërdoruam shumë.”
“Bllokimi i Mazrekajt? Unë mendoj se një skuadër duhet të punojë përtej një lojtari specifik të kundërshtarit, por si skuadër. Nuk ka një lojtarë specifik që fokusohemi, ne duhet të funksionojmë si skuadër”.
“Jam i lumtur për 3 pikët sepse punojmë gjithë javën për të fituar 3 pikët. Është ajo që kam thënë edhe në konferencën para ndeshjes, që ne do të synojmë 3 pikët në çdo ndeshje. Jam i qetë sepse ka ende shumë rrugë për të bërë”.
“Mendoj se merita për një ndeshje të mirë është e të gjithë lojtarëve. Mesfushorët bënë mirë, por njësoj bënë edhe mbrojtësat dhe sulmuesit. Të gjitha repartet bënë mirë dhe funksionuan mirë, por kemi ende shumë për të përmirësuar dhe këtë gjë do ta bëjmë që nga seanca e radhës stërvitore”, tha Colella. / abcnews.al