Teknologjia është bërë një pjesë e rëndësishme e jetës tonë. Me pandeminë, ku e gjithë bota u izolua, ku puna dhe studimet zhvilloheshin nga shtëpia, doli më shumë në pah në pah dhe rëndësia e teknologjisë. Për të rritur ndërgjegjësimin tek të rinjtë për të marrë më shumë njohuri rreth kësaj fushe, një grup profesionistësh shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në SHBA kanë ndërmarrë iniciativën “Code for Albania”.
Për të folur për këtë nismë të ftuar sot në “Abc-ja e mëngjesit” ishte drejtuesi i pjesës akademike në “Code for Albania”, Enea Mancellari si dhe studentja Amela Rahimi. Mancellari tha se “Code for Albania” është një urë lidhëse midis Silicon Valley dhe Shqipërisë dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për t’i kushtuar rëndësinë e duhur dhe për të marrë njohuri mbi programimin.
“Pjesa e kodimit është zgjidhje problemesh. Automatikisht nëse një gjimnazist i aplikon këto ide, jo domosdoshmërisht duhet të jepet më shumë lënda e informatikës nëpër gjimnaze, por të krijohet një farë kanalizimi sepse dhe në pandemi të gjitha lëndët morën një drejtim teknologjik. Mësuesit ishin të detyruar për përdornin teknologjinë. Ku ka gjë më të mirë sikur nxënësit aktualisht të detyruar i mësuan, por sikur në një të ardhme t’i aplikojnë lëndët duke përdorur programimin.”, tha Enea.
Studentja shpjegoi se aplikantët duhet të kenë vetëm dëshirën për teknologjinë dhe të dinë shumë mirë anglisht për të marrë pjesë. “Ajo që e mban këtë projekt është pasioni dhe anglishtja shumë e mirë që studentët gjimnazistët aplikojnë. Bëhet një përzgjedhje dhe formohet një grup me të cilët i trajtojmë në Workshop-e të ndryshme.”, tha ajo. /abcnews.al