Çoçlli: S’jemi Barcelona apo Reali, portieri i fali dy gola Partizanit

schedule16:13 - 2 Shkurt, 2020

schedule 16:13 - 2 Shkurt, 2020

Luftëtari regjistroi një tjetër humbje dhe sot u dorëzua 0-3 në Gjirokastër përballë Partizanit. Trajneri i bluzinjve, Nikolin Çoçlli analizon ndeshjen në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

HUMBJA – “Ishte një ndeshje e vështirë në letër, duke pasur parasysh që Partizani kërkonte kthesën pas rezultateve negative. Nuk jemi skuadër e madhe, nuk mendojmë të bëjmë histori. Nuk jemi as Reali apo Barcelona që të rikthejmë apo barazojmë një ndeshje nga 0-2. Pësuam dy gola që i fali portieri. Çfarë mund të presim kur ndeshja nis 0-2, aq më tepër që kemi një skuadër të re dhe të brishtë. Në një situatë të tillë ndihesh keq. Bëra të pamundurën për të motivuar skuadrën pas 0-2. U munduan të bëjnë diçka, por trauma ishte e madhe. Brishtësia gjithmonë të krijon probleme”.

NDRYSHIMI NË PORTË – “Kam luajtur vetë në këtë pozicion. Ka një shprehje të madhe, portieri është çatia e shtëpisë. Kam tentuar të marr një portier me eksperiencë që ditën e parë, një portier që t’i japë sigurisë skuadrës. Ishim të hallakatur, lojtarët mendonin të largoheshin. Menduam të aktivizojmë këtë djalë të ri, Shalën. Tentova t’i jap besim pas pjesës së parë, reagoi pak, por ishte tepër vonë”.

MERKATO – “Kam thënë që merkato do bëhet, por jo në rangun e lojtarëve cilësorë, të cilët kanë një vlerë të madhe në treg. Më kanë premtuar se në skuadër do të ketë lojtarë të rinj, të perspektivës, duke marrë parasysh edhe buxhetin. Merkato na penalizoi. Kishim dy lojtarë që vijnë nga Laçi, Zaimi dhe Spahiu. Ishin lojtarë cilësorë, treguan vlera në miqësore, por mosrealizimi i kësaj merkato na bëri të çedojmë në mesfushë. Lojtarët janë të rinj, si Shala. Edhe të tjerët do të kenë probleme si ndaj Partizanit”.

POROSIA – “I porosita lojtarët që të rezistonin deri në minutën e 30-të, gjithsesi nuk ndodhi. Riskun e marr vetë, nuk kanë lidhje lojtarët në këtë mes”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!