Cobbinah: Tirana do rikthehet, titulli mision i vështirë! Humbja në derbi? Keqardhje

schedule11:37 - 25 Janar, 2021

schedule 11:37 - 25 Janar, 2021

Winful Cobbinah u largua nga Tirana pasi kampionati kishte nisur. Bardheblutë nuk mund ta humbnin me parametra zero dhe pranuan ofertën e Cleopatra dhe tani mesfushori me tipare sulmuese po luan në Egjipt. Së fundmi Cobbinah ka dhënë një intervistë në emisionin “Zona Gol” në Supersport.

“Jam shumë mirë te skuadra e re dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Për momentin kam një gjendje të mirë fizike dhe emocionale. E dashuroj Tiranën dhe kampionatin shqiptar dhe do të doja shumë që të kthehem një ditë për të luajtur te bardheblutë”, është shprehur fillimisht ganezi, i cili pyetet për diferencën mes Superiores dhe kampionatit egjiptian.

“Në Egjipt është një futboll më fizik, ndërsa në Shqipëri luhet më shumë me topin. Kjo është diferenca mes kampionateve”, shton Cobbinah, i cili më pas foli edhe për derbin e kryeqytetit, që u luajt të enjten. “E pashë derbin dhe nuk isha shumë i lumtur me rezultatin. Te Tirana ka shumë lojtarë të rinj duhet kohë që këta lojtarë të përshtaten”, shtoi mesfushori, i cili komenton edhe rënien e bardhebluve këtë sezon.

“Trajner i ri, lojtarë të rinj,  kjo mendoj se ka ndikuar te skuadra. Nuk dua të futem shumë në detaje, por lojtarët e rinj që kanë ardhur nuk i kanë përmbushur pritshmëritë e një skuadre kampione. Kam besimin se Tirana do të rikthehet pasi ka shumë ndeshje deri në fund”. A mund ta fitojë Tirana titullin? Cobbinah nuk ka shumë besim.

“Është shumë e vështirë të fitojmë titullin, pasi diferencat janë të mëdha. Gjithsesi mendoj se do të dalin të jenë në vend të 2 apo 3, pasi nuk ka shumë diferenca pikësh. Largimi im? Nuk kishte fare lidhje largimi me situatën e krijuar te Tirana. Te skuadra e re po luaj në të njëjtin pozicion si te Tirana, por shumë herë i ndryshojmë pozicionet në fushë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!