Përveç nomineve, për çmimin “Lojtari më i mirë” i viti 2023, paraditen e kësaj të enjteje, organi më i lartë i futbollit në Botë, FIFA ka publikuar dhe listën me të nominuarit për çmimin “Trajneri më i mirë i viti”, ku ndryshe nga ajo e lojtarëve, kjo listë ka vetëm 5 emra.
Si të nominuar janë zgjedhur, tekniku i Manchester City, Pep Guardiola, i cili arriti të siguronte “tripletën” historike me “qytetarët” e tij, pas fitimit të Premier League, Champions League dhe FA Cup. Pas tij vijnë tekniku i Inter, Simone Inzaghi, i cili riktheu “zikaltërit” në finalen e Ligës së Kampionëve, si dhe arriti të fitojë Kupën dhe Superkupën e Italisë.
Në listë janë gjithashtu dhe tekniku i “katalanasve” të Barcelona, Xavi, ish-tekniku i Napoli, tashmë i Kombëtares italiane, Lucian Spalletti, si dhe ish-tekniku i Celtic, tashmë i Tottenham, Ange Postecoglu.
Ndërkaq, duhet kujtuar se gjatë përpilimit të listës, FIFA ka vendosur që të merret parasysh vetëm performancat e lojtarëve gjatë periudhës 19 dhjetor 2022-20 gusht 2023, duke anashkaluar kështu paraqitjet e zhvilluar gjatë Botërorit të Katarit. /i.m /abcnews.al