Çmimi Nobel për letërsinë, çfarë reagimesh pati në Kosovë dhe Serbi

schedule19:20 - 11 Tetor, 2019

schedule 19:20 - 11 Tetor, 2019

Fituesi i Çmimit Nobel, Peter Handke, i cili njihet si ithtar i Sllobodan Millosheviçit, ka krijuar shumë polemika të mëdha në Europë mes artistëve, por jo vetëm.  Gjatë ditës së sotme, Akademia e Shkencave të Kosovoës i nisi një letër Akademisë së Shkencave të Suedisë.

“Me indinjatë të thellë morëm lajmin e shëmtuar se laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 është shkrimtari Peter Handke, një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën”, thuhej në letrën e kryetarit të Akademisë, Mehmet Kraja.

Gazetarja e ABC News, Blerta Dalloshi Berisha gjatë një lidhje me Skype nga Kosova tregoi se në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Ministria e Jashtme, Presidenti Hashim thaçi, ndërkohë që është organizuar online një peticion për të tërhequr vendimin.

Sipas Dalloshit, kundërshtimi ndaj Çmimit Nobel do të mbetet vetëm në nivel reagimesh pasi çmimi Nobel nuk mund të tërhiqet pasi jepet njëherë.

“Ka reaguar dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe ka kërkuar te akademia që të rishqyrtohet vendimi. Ka reaguar edhe presidenti Hashim Taçi sipas të cilit vendimi ka sjellë dhimbje për viktimat e panumërta. Është organizuar online një peticion që në një kohë rekord mori dhjetëra mijëra nënshkrime për t’u tërhequr nga vendimi. Në Kosovë kam pasur disa intervista gjatë ditës dhe historianë, shkrimtarë thonë që nuk mund të rishqyrtohet vendimi dhe nuk ka kthim mbrapa. Me gjasë do të mbetet vetëm në nivel reagimesh meqë u kuptua që çmimi nuk mund të tërhiqet”, tha Blerta Dalloshi Berisha.

Por në krahun tjetër, në Serbi lajmi se Peter Handke fitoi Çmimin Noble është pritur me gëzim dhe entuziazëm. Për këtë reagoi vetë shkrimtari austriak, i cili për një radio tha se, “jam shumë i befasuar dhe shumë i lodhur, do të flasim më gjatë nesër. Dua të përshëndes të gjithë njerëzit në Beograd dhe Serbi, e ndiej gëzimin tuaj për njohjen e madhe që mora, faleminderit për atë dhe në emrin tim sonte do të pimë raki dhe verë të bardhë”.

Gazetari i ABC News në Beograd, Idro Seferi, tha se edhe në Serbi opinioni ka qenë i ndarë. Ndërkohë reagimet më të shumta kanë qenë nga kundërshtarët e Sllobodan Millosheviçit.

“Edhe këtu ka qenë i ndarë opinioni sidomos kur bëhet fjalë për kolegë të Handke sepse ai ka qenë pjesë e vazhdueshme e vizitave në Beograd dhe ka shkuar pesë libra për Serbinë dhe serbët duke treguar që shtypi perëndimor është duke bërë propagandë të tepruar ndaj serbëve. Kam takuar shkrimtarë që e njihnin Handke. Ajo që gjeta në një video të Sllobodan Millosheviç që ishte fjalimi i Handke është pjesë interesante që mundohet të thotë se po qëndron aty se bota e di të vërtetën por nuk do ta pranojë të vërtetën për Jugosllavinë. Ka njerëz që e mbështesin Handke se thonë që veprat e tij janë të mira, por ka qenë i painformuar. Ka shumë të tillë që thonë se duhet ndarë vepra nga autori ose sjelljet që ka patur me politikën. Nuk ka pasur shumë reagime nga politike më shumë se sa nga njerëz që e kanë luftuar Sllobodan Millosheviçin”, tha Seferi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!