Çmimi i karburanteve, Berisha kërkon dorëheqjen e anëtarëve të Bordit. Rezoluta? – Tirana, një Beograd i vogël

schedule12:12 - 3 Qershor, 2022

schedule 12:12 - 3 Qershor, 2022

Ish-kryeministri Berisha i ka kërkuar anëtarëve të Bordit të Transparencës për çmimin e karburanteve që të dorëhiqen dhe të mos bëhen vegël e një qeverie që tashmë njihet si organizatë kriminale.

Berisha tha se ata janë duke i shërbyer oligarkëve përmes vendimit të tyre për çmimin e karburantëve. Berisha deklaroi se një çmim i tillë, pra 248 lekë/ litri nuk ekziston askund në Evropë dhe botë

 

Bordet antikushtetuese janë shndërruar në mega-shushunjat e Edi Ramës të cilat po vjedhin, plaçkisin, grabisin çdo ditë qytetarët shqiptarë. Mjafton t’ju rikujtoj këtu se çmimi i naftës dje në Maqedoninë e Veriut ishte 185 lekë, kundrejt 2500 lekë në Shqipëri. Çmim i tillë nafte nuk ekziston kund në Europë dhe botë përveçse në çifligun e Edi Ramës që shpiku këtë mekanizëm duke dhunuar Kushtetutën, duke dhunuar ligjet natyrale të tregut, për të plaçkitur qytetarët e vet së bashku me klientelën e tij.

Të dhënat e politikave që ndoqi Edi Rama ndaj shqiptarëve janë tejet alarmante. Ju keni lexuar këto ditë, organizatat më prestigjioze për fëmijë kanë dhënë alarmin se 300 mijë fëmijë shqiptarë kërcënohen për ushqimin e tyre të përditshëm.

Shqipëria nuk mund të ketë, asnjë vend i lirë nuk mund të ketë, borde të cilat të kontrollojnë tregun për llogari të qeverisë. Qytetarët vetëm paguajnë çmimin e këtyre organizmave korruptive qeveritare të ngritura me qëllimin e vetëm për të diktuar çmime stratosferike dhe vjedh sa më shumë qeveria me klientelën e vet.

Dhe njëherë, kërkoj ndërprerjen urgjente të veprimtarisë së tyre. Kërkoj dhe u bëj thirrje anëtarëve të bordit të japin dorëheqje menjëherë, të mos shndërrohen në një vegël antikushtetuese të një qeverie e cila me vendimet e saj është shndërruar tashmë e njohur univeralisht si një organizatë kriminale“, tha Berisha.

Ndërkohë, ish-kryeministri theksoi se maxhoranca pritet që ta refuzojë rezolutën e PD-së kundër krimeve serbe në Kosovë. Sipas tij, kjo do të ndodhë dhe do të bëjë që Tirana të kthehet në një Beograd të vogël.

Çështja e dytë, e një rëndësie të jashtëzakonshme është qëndrimi i Edi Ramës ndaj rezolutës të dorëzuar nga ne në Parlament për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë. Refuzimi nga qeveria aktuale pseudomazhoranca aktuale, për të denoncuar gjenocidin serb në Kosovë, është një akt makabër antikombëtar, është një përdhosje, është një ekzekutim për së dyti i mbi 10 mijë fëmijëve, grave, burrave të cilët u masakruan në vitet 1998-1999 në suazën e operacionit ‘Patkoi’, operacion që kishte për qëllim dhunën masive, masakrat dhe përzënien masive të shqiptarëve nga Kosova. Ky vendim, apo ky akt i Edi Ramës dëshmon qartë se Tirana nuk është gjë tjetër veçse një Beograd i vogël. Dhe se, jo interesat kombëtare të shqiptarëve, por interesat çnjerëzore ekspansioniste të Beogradit janë preferenca dhe përparësia e qeverisë së Tiranës.

Kjo situatë po shkon drejt një drame të vërtetë. Nuk ka patriotë shqiptarë, nuk ka qytetarë të vërtetë shqiptarë që mund të pranojë rreshtimin e Tiranës me Beogradin në qëndrimin ndaj gjenocidit serb në Kosovë. Një qëndrim të tillë mbajti Edi Rama dhe tre javë më parë me rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë. Imagjinoni pra, se kush qeveris këtë vend.

Mbrojtja dhe mohimi i gjenocidit dënohet me ligj ndërkombëtar. Në vend që të kushtëzohet çdo qëndrim ndaj Beogradit me njohjen e gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, mohohet gjenocidi, mohohen qindra mijëra të rënë, shpirtra të vdekur dhe kjo vetëm për shkak të vasalitetit absolut të Edi Ramës ndaj Vuçiçit. Ka ardhur koha që çdo shqiptar të mendojë mirë për interesin e tij kombëtar, për dinjitetin e tij kombëtar. Gjenocidi serb e kam theksuar këtu para jush dhe në takime të tjera, në vitin 1913 në zonën e Lumës, Krumës, Tropojës dhe Dibrës, ka njohur formën më të egër në Luftën e Parë Botërore dhe kjo është e certifikuar nga Komisioni Ndërkombëtar i ngritur për hetimin e kryera gjatë luftës dhe të shkaqeve të saj. Megjithatë, në rezolutën që dorëzuam ne u ndalëm vetëm te gjenocidi i kryer nga Beogradi në vitet 98-99 në Kosovë. Por gjenocidi serb ndaj shqiptarëve është ciklik. Ai ka filluar në 1874 dhe mbaron në vitin 1999, me disa valë, me disa cikle. Kemi të bëjmë me një qeveri antishqiptare e cila qeve ris vendin për interesa të Beogradit dhe kjo është e padurueshme, është e patolerueshme”, tha Berisha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!