Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi foli edhe për aludimet se me fashat e reja të çmimeve, është rritur edhe çmimi i energjisë për furrat e bukës. Në intervistën për “Money Report”, ai deklaroi se nuk ka të bëjë më rritjen e çmimit të furrave të bukës por me kategorizimin e bizneseve që nuk operojnë vetëm si të tilla.
Ai tha se është bërë kategorizimi në të gjithë vendin i të tre specifikave, furra buke, furra buke që operojnë edhe si pastiçeri por edhe ato që operojnë gjithashtu me bar kafe.
“Në fakt kemi pasur komunikim të gjatë dhe të vazhdueshëm me shoqatën e furrave të bukës se tregu kishte nevojë për sistemim. Kishim çmim unik që s’i përgjigjet rrethanave dhe elementëve që sot furrat e bukës përfaqësojnë. Ka zgjerim të tyre që përfshin dhe ambiente dhe aktivitet të integruara dhe kishim ankesë nga shoqata e furrave të bukës që ka mungesë konkurrence. Ishin krijuar dhe rëndesë për biznesin. E vendosëm që duhet të ndajmë sipas tipologjisë së aktivitetit. Kemi ndarë tre fasha çmimesh, furrat e bukës tipike vazhdojmë akoma me çmimin 7.6 lekë. Ka një tipologji tjetër të furrave e bukës dhe pastiçeri 9.5 lekë dhe ato me furrë buke, pastiçeri dhe kafe me çmim më të lartë 12 lekë. Kjo është rënë dakord në prill. Është bërë kategorizimi në të gjithë vendin dhe kontrolli. Sot janë të ndarë këto kategori. Ai që është furrë buke vazhdon 7.6, pjesa tjetër vazhdon sipas detyrimeve të tyre. Pati desinformim nga disa mediume, doli një informacion që nga nëntori do të rrisin çmimin e energjisë që nuk qëndron dhe u ngrit një tymnajë që do të rritet furra e bukës. Nuk ka rritje të çmimit të bukës. Ka vetëm një element që ka pasur keqkuptim sepse mbi atë që quhet orari pik. Orari pik është një koncept jo i ri që është futur që në 2016 , ka një orar specifik nga 6-10 gjatë dimrit nga 7-11 gjatë verës që çmimi i energjisë elektrike për subjektet private ka 15 për qind rritje. Ky është orari ku çmimi nëpër tregje është më i lartë. Që do të thotë ule konsumin në atë orë. Ne aplikojmë këtë që nga 2016, vetëm për subjekte me matësa ineligjentë, dhe nga 1700 furra buke që sot janë me çmimet përkatëse, janë një numër shumë i vogël rreth 200 subjekte me matësa inteligjentë. Përsëri jemi të mendimit që çdo furrë buke që ka matësa inteligjentë dhe orarin pikë ka të drejtën të ndryshojë orarin e tij të punës.”, u shpreh Karakaçi.