Çmimet vijuan rritjen në fundvit/ Inflacioni u ngjit në 4% në dhjetor, më të shtrenjta ushqimet

schedule14:07 - 10 Janar, 2024

schedule 14:07 - 10 Janar, 2024

Festat e dhjetorit dhe rritja e konsumit kanë nxitur shtrenjtimin e çmimeve. Gjatë muajit të fundit të 2023 është konstatuar një rritje e lehtë e inflacionit i cili ka arritur në 4% nga 3.9% që ishte një muaj më parë.

Megjithatë nëse e krahasojmë me një vit më parë niveli i inflacionit është thuajse dyfish më i ulët. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2023 është 4%, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 7,4 %. Edhe pse krahasuar me një vit më parë rritja e përgjithshme e çmimeve është ngadalësuar, shifrat tregojnë se çmimet e ushqimeve vijojnë të jenë në nivele të larta dhe përpos kësaj kanë dhënë kontributin kryesor në nivelin e inflacionit.

Ndërkohë që rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4,8 % nga 6,7 % që ishte në vitin 2022. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” 2,38% pasuar nga “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” si dhe Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë. Nëngrupi i transportit vijon që të ndikoj në ulje të nivelit të inflacionit. Gjatë muajit dhjetor Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0.21%.

Kjo tendencë në rritje e inflacionit për të dytin muaj radhazi mund të shtyjë Bankën e Shqipërisë që të marë një tjetër vendim për rritjen e normës bazë të interesit. Aktualisht norma bazë e interesit është 3.25%. Edhe në Vendet e BE inflacioni u rrit sërish në dhjetor gjë që i bën më pak të mundshme uljet e hershme të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane.
Parashikimet e ekspertëve janë që inflacioni do të rikthehet në objektiv në mesin e vitit 2024./abcnews.al