Çmimet e tregut imobiliar/ Eksperti në “Money Report”: Si do jetë tendenca përgjatë vitit 2024

schedule14:31 - 11 Janar, 2024

schedule 14:31 - 11 Janar, 2024

SHQIPËRI- Viti i kaluar ka qenë pozitiv për ekonominë shqiptare, me sektorë, të cilët kanë udhëhequr rritjen veçanërisht ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Por si do jetë ecuria përgjatë 2024 dhe si do të variojnë çmimet në treg?

Drejtori Ekzekutiv, Shoqata e Pasurive te Paluajtshme, Reinaldo Pipiria, i ftuar në “Money Report” bazuar në të dhënat e deritanishme u shpreh se çmimet do të jenë të stabilizuara.

Sipas tij, agjencitë imobiliare, të cilët bëjnë rolin e ndërmjetësimit të shitjeve të pronave nuk kanë raportuar rritje të çmimeve.

“Tashmë është vërejtur se ka një stabilizim të çmimit. Sektori i rishitjes nuk ka raportuar se ka një rritje me mbi 10%. Mendoj se edhe në 2024 Shqipëria është në pozicion unik për të ofruar apartamente, që vazhdojnë të jenë me çmime konkurruese në treg”, tha Pipiria.

Sa i takon qirave të apartamenteve, kryesisht të atyre në bregdet, Pipiria tha se prirja më e madhe e tregut është që të ofrohen apartamente me qira afatshkurtra dhe kjo sigurisht do të ndikojë tregun e qirave afatgjata.

“Pjesa e bregdetit do t’i dedikohet tregut qirave afatshkurtra dhe kjo do të ndikojë tregun e qirave afatgjata, por është ende herët të flasim me saktësi”, tha ai.

Sipas ekspertit, pronat, të cilat kanë një vjetërsi mbi tre dekada rrezikojnë të bien “viktimë” e çmimit të referencës.

“Çmimet e referencës janë problematike për pronat që kanë një lloj vjetërsie”, shtoi ai./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!