Çmimet e teksteve shkollore, prindërit: Kanë pësuar rritje

schedule15:35 - 5 Shtator, 2018

schedule 15:35 - 5 Shtator, 2018

Ndërkohë që rreth 190 mijë nxënës nga klasa e parë në të nëntë këtë vit tekstet shkollore falas po i marrin nëpër shkolla, të tjerët i drejtohen kancelarive për t’i blerë. Paketat e librave nga klasa e pestë deri në të nëntën, prindërit thonë se kanë pësuar një rritje të lehtë të çmimeve.  

Ariola për t’i dërguar të dy fëmijët në shkollë djalin në klasë të tetë dhe vajzën në klasë të nëntë na tregon se vetëm për librat duhet të shpenzoje rreth 13 mijë lekë të reja. Paketat e teksteve shkollore kanë pësuar rritje të çmimeve.

“Më kushtojnë rreth 120-130 mijë lekë. Çdo vit e më shtrenjtë më duket. Sivjet janë 15 mijë lekë më shtrenjtë. Më duket mua të paktën sepse akoma nuk i kam bërë llogaritë fiks. Besoj që për të gjithë njerëzit është e papërballueshme nëse kanë më shumë se një fëmijë, por edhe nëse kanë një fëmijë goxha e shtrenjtë. Përveç librave, mjete, fletore, gjëra plot, veshje”, thotë ajo.

Çmimet e librave për çdo klasë kancelaritë i kanë afishuar në hyrje të tyre. Kosto më e ulet vërehet tek paketa e klasës së pestë, rreth 2 mijë e 800 lekë të reja ndërsa më e lartë tek tekstet për klasën e gjashtë, rreth 6 mijë e 800 lekë të reja.

“46 edhe 100 për klasën e shtatë. Nuk kanë ndonjë rritje kushedi se çfarë. Mund të ketë maksimumi një mijë lekë”.

“Të gjitha librat i mora dhe pashë se s’kishte mungesa në krahasim me vitet e kaluara”.

“Kam ardhur për djalin klasa e shtatë, vajza i mori të shkolla ishin falas”.

Kancelarive këtë vit i drejtohen vetëm prindërit e nxënësve nga klasa e pestë deri në klasë të nëntë pasi për fëmijët e ciklit më të ulët që i përfitojnë tekstet falas shpërndarja bëhet në shkolla. Ky riorganizim këtë vit duket se ka reduktuar radhët e gjata që shoqëruan procesin një vit më parë.

“Fluks ka pasur ditën e parë dhe ndërkohë ditët e tjera ka vazhduar normalisht. Mungesa librash nuk ka”.

Shpërndarja e teksteve shkollore ka nisur që me tre Shtator, ndërkohë që referuar urdhërit të ministres së Arsimit deri më datë dhjetë Shtator të gjithë nxënësit duhet të jenë pajisur me libra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!